“TIFF” në edicionin e 23, më shumë se 200 filma të përzgjedhur nga 71 vende të botës

Nga Julia Vrapi
Më shumë se 200 filma të përzgjedhur nga 71 vende të botës janë këtë vit në “Tirana International Film Festival”. Festivali ndërkombëtar i filmit nis nesër në Tiranë, duke sjellë në ditët e tij një program të pasur, mes tyre fitues të çmimit “Luani i Artë” në Festivalin e Venecias. Edicioni i 23-të i “Tirana International Film Festival” (TIFF 2025) këtë vit do të zhvillohet nga data 21 deri më 27 shtator dhe sjell në ditët e tij veç prodhimeve kinematografike pjesë e festivalit janë edhe disa aktivitete. Programi i përditshëm i festivalit, që përfshin mbi 200 premiera të filmave nga 71 vende të botës, në konkurrim janë në të gjitha kategoritë dhe zhanret, si fiction, dokumentar, animacion, etj. Më herët Agron Domi, drejtor dhe bashkëthemeluesi i “Tirana International Film Festival” tha për mediat që është dashur një punë prej disa muajsh për përzgjedhjen e filmave garues në këtë festival, që këtë vit shënon edicionin e tij të 23-të në kryeqytet. Filmat këtë vit do të vlerësohen nga 8 juri ndërkombëtare, të përbëra nga emra të njohur të industrisë kinematografike. Filmi “Father Mother Sister Brother” i regjisorit Jim Jarmusch, që fitoi “Luanin e Artë” në  Festivalin e 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia në Itali hap edicionin e 23-të të “Tirana International Film Festival” dhe do të shfaqet në sallën e kinemasë Millennium. Por edhe premiera e filmit të restauruar  “Liri a vdekje” prodhim kinematografik i vitit 1978 do të jetë në “Tirana International Film Festival” në 27 shtator. Filmi është nga regjisorët Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, skenari i tij është shkruar nga Vath Koreshi. Këtë vit kinematë dhe hapësirat për filmat dhe aktivitetet në festival janë: Kinema Millennium; Qendra e Artit Agimi; Kino Piramida; Vila 31 x Art Explora ; Librari Babel; Open Air Tirana.
TIFF në jetën kulturore
“Tirana International Film Festival 2025” (TIFF) që do të zhvillohet këtë shtator  është dhe një nga eventet kulturore më të rëndësishme në vend. Regjisorët, producentët, muratorë, studiues dhe artistët nga Shqipëria, Ballkani dhe mbarë bota do të jenë pjesë e TIFF këtë vit! Me “TIFF 2025”, sipas organizatorëve Tirana shndërrohet në kryeqytetin e filmit. “Tirana International Film Festival” në edicionin e 23-të nis më 21 shtator, por filmi më i mirë i shkurtër në festival kualifikohet për çmimet “Oscars 2025”, si dhe “European Film Awards 2024”. Filmat studentorë të përzgjedhur zyrtarisht në “Tirana International Film Festival” kanë të drejtë të konkurrojnë për Çmimet Student Academy (SAA). Për herë të parë, TIFF prezanton këtë vit një juri speciale, Capture Frame Jury, e cila do të vlerësojë kuadrin më të bukur fotografik nga filmat dokumentarë. Kjo juri përbëhet nga artistë vizualë. “Tirana International Film Festival” është tani pjesë edhe e Rrjetit të Festivaleve në Rajonin e Adriatikut, që është programi i përbashkët i tre festivaleve themelues- Festivali i Filmit në Sarajevë (BiH), Festivali i Filmit Auteur (Serbi) dhe Festivali i Filmit në Zagreb (Kroaci). “Tirana International Film Festival” është një festival ndërkombëtar filmi i themeluar në vitin 2003, i cili synon të krijojë një qendër kulturore për kinemanë alternative dhe të pavarur në Shqipëri dhe rajon. “TIFF 2025-edicioni 23” këtë vit ka edhe mbështetjen financiare nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.