Qeveria kthen transportin publik në shtetëror, ja çfarë pritet të ndryshojë për qytetarët

Qeveria kthen transportin publik në shtetëror, ja çfarë pritet të ndryshojë për qytetarët

Qeveria ka njoftuar se brenda mandatit të katërt planifikon ta rikthejë transportin publik nga shërbim privat në shtetëror. Në programin qeverisës të miratuar më 18 shtator parashikohet krijimi i shoqërisë shtetërore “MobAl”, si Agjenci Kombëtare për Transportin Publik. Fillimisht, kjo agjenci do të transportojë nxënës në shkolla dhe do të ofrojë shërbime në 7 itinerare turistike kombëtare. Sipas programit, kjo nismë synon të ulë braktisjen e shkollës, të reduktojë pabarazitë territoriale dhe të mbështesë industrinë turistike me punonjës, falë një transporti të garantuar. Gjithashtu, qeveria planifikon implementimin e sistemit të biletave elektronike për një shërbim më transparent dhe të besueshëm, si dhe zëvendësimin e flotës aktuale me rreth 100 autobusë elektrikë, me standarde të reja sigurie, efikasiteti dhe respekti për mjedisin.