Tritoli në banesë, reagon për herë të parë Xhelal Mziu: Nuk kam asnjë borxh ndaj askujt, një akt hakmarrjeje politike

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka reaguar pas shpërthimit me tritol që ndodhi gjatë natës pranë banesës së tij në Kamëz, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të pastër politik dhe hakmarrje ndaj qëndrimeve të tij ndaj qeverisë.
Në një deklaratë për mediat, Mziu tha se shpërthimi ndodhi rreth orës 00:55, duke shtuar se fatmirësisht nuk pati asnjë dëm në njerëz, as për të dhe as për kalimtarët që mund të ndodheshin në zonë në ato momente.
“Shumë njerëz e kanë dëgjuar shpërthimin e këtij tritoli. Pati dëme materiale, por jam i gëzuar që nuk pati pasoja për jetën e askujt”, u shpreh Mziu.

Ai mohoi të ketë konflikte personale apo detyrime ndaj ndonjë individi, duke e përjashtuar mundësinë e një sulmi për arsye private.
“Nuk kam asnjë lloj konflikti me askënd gjatë gjithë karrierës sime. Nuk kam asnjë borxh ndaj askujt. E konsideroj këtë si një akt absolutisht politik, madje një hakmarrje politike ndaj qëndrimeve të mia si opozitar,” theksoi deputeti demokrat.

Sipas tij, ngjarja duhet parë si një sinjal për të frikësuar zërat kundër qeverisë aktuale.
“Ky është një mesazh për të treguar se nuk lejohet të sillesh apo të reagosh kundër kësaj qeverie të krimit dhe korrupsionit. Është përpjekje për të na kthyer në ‘ushtarë’ të tyre, dhe jo në një opozitë të vërtetë,” tha më tej Mziu.
Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa pritet të analizohen pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbledhura në vendngjarje.
/vizionplus.tv