“Poeti laureat” 2025 – 2027, QKLL shpall hapjen e edicionit të ri 

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli hapjen e edicionit të ri të titullit  “Poeti laureat”, një titull i krijuar për të vlerësuar poezinë shqipe bashkëkohore dhe për të nderuar poetët e gjallë të letrave shqipe. Ky titull, tashmë i konsoliduar si një prej nismave më domethënëse të QKLL-së, përfaqëson një investim kulturor të vyer në promovimin e gjuhës dhe krijimtarisë poetike. Drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli shprehet se poezia gjuha e shpirtit dhe e kujtesës kolektive është zhanri që vlerësohet për dhënien e këtij titulli. “Në letërsinë shqipe, poezia ka qenë gjithmonë një zhanër themelor. Ajo është arti që i ka dhënë gjuhës shqipe fuqinë për të ruajtur identitetin, për të mbartur kujtesën dhe për të shprehur ndjeshmërinë e kohërave. Poezia është forma më e përqendruar e gjuhës aty ku fjala rritet në intensitet, ku tingulli dhe ritmi kthehen në kuptim dhe ku përvoja njerëzore gjen një shprehje të përhershme në formë arti”, thotë Alda Bardhyli.
Sipas saj në një kohë kur fjala e shkruar përballet me sfidat e shpejtësisë dhe sipërfaqësisë, poezia mbetet një ftesë për reflektim dhe thellim ndjesor. Ndërsa juria e shpallur nga QKLL me kryetar poetin Primo Shllaku dhe të tjerë anëtarë në përbërje do të përzgjedhë dhe “Poetin Laureat” për vitet 2025-2027. Dy fituesit e parë të këtij titulli- Rudolf  Marku dhe Luljeta Lleshanaku, u vlerësuan me këtë titull nga juria më parë, e cila punoi përzgjedhjen. Në dy edicionet e deri tanishme, titulli  “Poeti laureat”  i vlerësoi dy zërat e fuqishëm të poezisë shqipe për disa cilësi të thella: Rudolf  Marku, një poet i formuar brenda dhe jashtë vendit, i njohur për poezinë e tij të qartë, meditative dhe të ngarkuar me reflektime mbi lirinë, ekzilin dhe jetën moderne. Vepra e tij mishëron lidhjen midis traditës dhe sfidave të kohës sonë, duke e bërë atë një nga poetët më të rëndësishëm të brezit të tij. Luljeta Lleshanaku, një nga poetet më të përkthyera dhe të njohura ndërkombëtarisht nga letrat shqipe, me poezi që spikat për imazhet e fuqishme, tonin intim dhe universin poetik unik. Ajo sjell një poezi të ndërtuar mbi përjetime të thella personale e kolektive, duke krijuar një gjuhë që i flet si lexuesit shqiptar, ashtu edhe atij botëror.