Artistë dhe muzikantë nga Shqipëria, Kosova dhe nga i gjithë Ballkani e më gjerë, në eventin Muse-X. Nga 11 prilli, sheshi “Italia” në Tiranë shndërrohet në epiqendrën e muzikës, industrisë kreative dhe kulturës! Muse-X një hapësirë konferencash, por dhe një festival, me muzikë të përzgjedhur nga zhanret e muzikës elektronike, Hip-Hop dhe Rock, rryma që do të mbajnë zgjuar kryeqytetin e Shqipërisë gjatë kësaj fundjave. Një ditë më parë konferenca e festivalit për mediat u mbajt në Tiranë, ku të pranishëm ishin zëvendësministrja e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës Lira Pipa, drejtori i Agjencisë së Industrive Kreative në Bashkinë Tiranë, Jonid Jorgji dhe Luel Muhametaj, themelues dhe organizator i Muse-X .
Zv.ministrja Pipa, theksoi se, Muse-X është një panair, i cili jo vetëm promovon më shumë Shqipërinë, por rrit edhe më shumë mundësinë e bashkëpunimit mes kompanive të ndryshme muzikore. Ndërsa Jonid Jorgji drejtor i Agjencisë së Industrive Kreative, vlerësoi këtë aktivitet si të rëndësishëm dhe një vlerë të shtuar për kryeqytetin, përmes së cilit pret të ketë më shumë turistë. “Për Tiranën ky event është shumë i rëndësishëm, sepse po bëhet për herë të parë, por edhe po gjen një terren ku do të mund të lidhë më shumë kontakte mes profesionistëve brenda dhe jashtë vendit”, tha ndër të tjera Jorgji. Muse-X, i cili organizohet nga MEKI, Bashkia Tiranë, fondacioni “Dritëro Agolli”, Klik Ekspo Grup, do të mbahet në Tiranë në sheshin “Italia” në datën 11, 12 dhe 13 prill. Muse-X, është konceptuar si platforma që do të bashkojë kompani, profesionistë, artistë, përfaqësues të qeverisë dhe entuziastë të muzikës për të shfaqur punën e tyre, për t’u lidhur dhe bashkëpunuar si kurrë më parë në Shqipëri dhe Ballkan.
Më herët MEKI shprehej se gjatë ditës- Konferenca, TED Talks, networking me mbi 100 liderë dhe kompani nga Mbretëria e Bashkuar, Evropa dhe Ballkani. Plus, Rap Battles epike, Open Jam Sessions, DJ Battles dhe konkurse kreative! Ndrësa gjatë natës sipas MEKI-t janë tre net festivalesh.
Muse-X në Tiranë mbledh artistët shqiptarë dhe të huaj
