Transformimi i “Vilës 31” për promovimin e artit dhe kulturën, mirëpret rezidentët e parë

“Vila 31” e kthyer në një qendër arti dhe kulture mirëpret rezidentët e parë. Pas një projekti restaurimi më parë ish vila e diktatorit Enver Hoxha është shndërruar në një rezidencë artistësh. Në ceremoninë e pritjes së rezidentëve të parë nga Franca, Tunizia, Libani, Malta, Italia e vende të tjera, në “Vila 31 x Art Explora” ish-rezidenca e një epoke të errët e kthyer në një qendër inovative artistike dhe kulturore, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja tha se transformimi i “Vilës 31”, është shembull i përkushtimit për të promovuar artin dhe kulturën si motorë të zhvillimit ekonomik, forcimit të identitetit dhe rritjes së ndikimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare kulturore.
“ArtExplora nga vetë emri, qëllimi, ngjall eksplorimin krijues dhe ndërveprues mes vendeve dhe komuniteteve duke rrëzuar hierarkitë, ashtu siç punët e artistëve që do t’i përjetojmë sot, fryt i misionit të Vilës 31, ku sot bashkëjetojnë shpirtra të lirë nga e gjithë bota, brenda mureve ku dikur ekzistonte vetëm një fantazi- ajo e antilirisë”, u shpreh ministri Gonxhja. Në përurimin e kësaj qendre ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Kryeministri Rama nderoi me Medaljen e Kryeministrit Ylli i Madh i Mirënjohjes së Republikës së Shqipërisë drejtuesin e fondacionit kulturor Art Explora, Frederic Jousset, ndërsa vlerësoi kontributin e tij në hapjen e kësaj qendre. Dikur një vend Makbethian, kryeministri Rama tha se sot kjo godinë është shndërruar në një vatër kulture shqiptare dhe të gjithë botës. Ndërsa Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato  i pranishëm në inaugurimin e “Vila 31 x Art Explora”, tha se Java Europiane e vitit 2025 do të organizohet në gjysmën e dytë të muajit maj.
Ambasadori u shpreh se gjatë ditëve në vijim BE do të mbështesë disa rezidenca artistike dhe një simpozium. Gonzato gjithashtu tha se   në Durrës nis festivali “Art Explora”, me 10 ditë performanca, filma e koncerte për të gjitha moshat. “Vila 31 x Art Explora” ish-rezidenca e një epoke të errët e kthyer në një qendër inovative artistike dhe kulturore, e cila mirëpriti rezidentët e parë sjell një program kulturor me performanca, diskutime, punëtori, lexime dhe shfaqje filmash, ku nga data 9-13 prill, hyrja e lirë për të gjithë.