Qeveria ka prezantuar programin e saj për vitet 2025-2029, duke vendosur sigurinë publike si një ndër prioritetet kryesore. Një pikë thelbësore e këtij plani është shndërrimi i pasurive të sekuestruara nga krimi i organizuar në investime me vlerë sociale, si ndërtimi i shkollave dhe qendrave rinore. Kjo masë synon të japë një mesazh të qartë se aktivitetet kriminale nuk do të sjellin përfitime afatgjata.
Programi i ri thekson modernizimin teknologjik dhe përafrimin e plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, duke u fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, trafikimit dhe krimeve ndaj të miturve. Gjithashtu, vihet në pah bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë ndërkombëtare si FRONTEX, EUROPOL dhe INTERPOL.
Dokumenti qeveritar vë në dukje arritjet e dekadës së fundit, duke përmendur se “82% e qytetarëve ndihen të sigurt në lagjen e tyre, nga 63% në vitin 2013”. Përveç kësaj, fatalitetet nga aksidentet rrugore dhe krimet ndaj personit kanë rënë ndjeshëm. Megjithatë, qeveria synon të vazhdojë përpara me projekte të reja ambicioze, duke përfshirë:
Projekti “Smart City”
Një nga projektet më të rëndësishme të programit është “Smart City”, i cili do të funksionojë si një Qendër Operacionale Unike. Ky projekt, theksohet në dokumentin qeveritar, parashikon krijimin e një rrjeti të integruar kamerash, sensorësh dhe dronësh, me qëllim uljen e kohës së reagimit policor nën 7 minuta në 20 qytete deri në vitin 2030.
Harta digjitale e kriminalitetit
Për herë të parë, qeveria do të përdorë “Hartën Digjitale të Kriminalitetit” dhe dronë/satelitë për të kontrolluar territorin dhe për të luftuar informalitetin dhe ndërtimet pa leje. Programi premton sanksione efektive, me gjurmueshmëri të plotë dhe pa subjektivizëm.
Forcimi i reagimit ndaj zjarreve
Një pikë tjetër e rëndësishme është forcimi i reagimit ndaj zjarreve. Do të ngrihet një Qendër e Përbashkët Koordinimi për stacionet zjarrfikëse dhe një Qendër Kombëtare Trajnimi, që do të mundësojnë veprime ndërinstitucionale në kohë reale dhe zbulim të hershëm të zjarreve me teknologji inteligjente.
Dokumenti: Pasuritë e sekuestruara nga krimi do të shndërrohen në shkolla dhe qendra rinore
