Kaos me regjistrimin në konvikte, studentët përplasen me forcat e policisë

Tensione dhe përplasje kanë shoqëruar procesin e regjistrimeve të aplikantëve në godinën numër 3 të konvikteve në Qytet Studenti.
Fluksi i aplikimeve dhe numri i kufizuar i dhomave sollën pakënaqësi te studentët, të cilët akuzuan institucionin për mungesë transparence dhe padrejtësi në procesin e përzgjedhjes.
Sipas njoftimit zyrtar, studentët duhej të paraqiteshin këtë të enjte pranë zyrave të përcaktuara për regjistrim në godinën numër 3, nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

Megjithatë, të rinjtë thanë se që në momentin e hapjes së procesit, vetëm një numër i vogël aplikantësh u lejua të hynte në zyra, ndërsa pjesa tjetër mbeti jashtë, pa mundur të vijonte regjistrimin.
Siç reflektohet edhe në pamje, kjo situatë solli tensione të forta mes studentëve dhe forcave të policisë, të cilat ndërhynë për t’i larguar nga godina.
Reagimi i institucionit nuk vonoi. Në deklaratë thuhej se problematika erdhi për shkak të interesit të madh – rreth 300 aplikantë – ndërkohë që kapaciteti i godinës së rikonstruktuar numër 3 është vetëm 30 dhoma dyshe, me hapësirë për jo më shumë se 60 studentë.
Regjistrimet megjithatë janë të hapura në godinat e tjera të Rezidencës Studentore Universitare, por godina numër 3 ishte një prej ambienteve të rikonstruktuara, që sipas të rinjve ka kushte më të mira akomodimi.
/vizionplus.tv