Partia e Lirisë i është bashkuar qëndrimit të Partisë Demokratike lidhur me situatën e krijuar në seancën e sotme plenare, ku u miratuan programi i qeverisë dhe kabineti i ri qeveritar. Në një konferencë për shtyp, sekretari i përgjithshëm i PL-së përsëriti kërkesat e deklaruara më parë nga kreu i grupit parlamentar të PD-së: përsëritje të seancës plenare, thirrje Presidentit për të mos thirru në betim ministrat dhe mocion për shkarkimin e kreut të Kuvendit, Niko Peleshi.
“Asnjë surprizë për seancën e sotme edhe për qëndrimin e deputetëve të Edi Ramës, që më shumë se kurrë ngjasonin me guzhinetat e një inceneratori që nuk ka ekzistuar kurrë, të cilët i zëvendësuan sot kartonat me bidona benzine për t’i dhënë flakë Qeverisë së inceneratorëve për të përvëluar taksat, djegur shpresën dhe shkrumbuar të ardhmen e shqiptarëve.
Ndaj dhe në emër të grupit parlamentar të Partisë së Lirisë ne i bashkohemi qëndrimit të grupit parlamentar të PD për: Kerkese per perseritjen e seances. Thirrje Presidentit per mos thirrjen per betim te Keshillit te Ministrave. Nisja e procedures parlamentare per shkarkimin e Kryetarit te Kuvendit”, tha Blushi.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për shkelje të Kushtetutës dhe shpërfillje të rregullave parlamentare.
“Seanca për miratimin e programit të ri qeveritar, që zgjati vetëm pesë minuta dhe kaloi pa asnjë debat, është prova më e qartë se Parlamenti i Shqipërisë nuk funksionon më si institucion i pavarur demokratik, por si strukturë e Asamblesë së Partisë Socialiste. Edi Rama zgjodhi sot shkeljen e Kushtetutës, provokimin, shpërfilljen dhe shkeljen e çdo rregulli dhe norme themelore parlamentare, në vend të llogaridhënies, të respektimit të procedurës demokratike dhe të përballjes me opozitën dhe qytetarët shqiptarë, duke konsumuar një akt të dënueshëm dhune ndaj opozitës dhe qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ai.
Kuvendi miratoi këtë të enjte (18 shtator) pa debat dhe vetëm me votat e mazhorancës programin qeverisës dhe kabinetin e ri qeveritar. Seanca, e cila zgjati vetëm 25 minuta, u shoqërua me tensione të forta, pasi opozita kontestoi një transmetim filmik të ministres virtuale “Diella” në Kuvend, duke bllokuar foltoren dhe duke mos e lejuar kryeministrin Rama që të vijonte më tej me prezantimin e programit qeverisës. Kjo bëri që kreu i Kuvendit të kalonte menjëherë për votim programin dhe përbërjen e re të kabinetit qeveritar.
PL i bashkohet qëndrimit të PD: Begaj të mos thërrasë ministrat për betim. Mocion për shkarkimin e Peleshit
