Yield-et e obligacioneve 20-vjeçare rriten në 6.88%

Yield-et e obligacioneve 20-vjeçare u rritën për të dytin ankand radhazi. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i uniform i pranuar i këtyre instrumenteve u rrit në 6.88%, nga 6.5% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm të këtyre instrumenteve, në muajin qershor.Nga 1 miliard lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand arriti në 1.31 miliardë lekë. Pavarësisht se pro rata (pjesa e pranuar) e kërkesave konkurruese nuk ishte shumë e lartë, në nivelin 49.4%, yield-et u rritën sërish. Këtu ndikoi edhe vendimi i Ministrisë së Financave për ta rritur shumën e emetimit në nivelin maksimal të lejuar, prej 15%. Sipas rregullores së ankandeve, për obligacionet yield-i është uniform me kërkesën më të lartë të pranuar.Nga ana tjetër, ankandi i obligacioneve 20-vjeçare konfirmon tendencën e korrektimit në rritje të instrumenteve të borxhit afatgjatë të qeverisë.Prej fillimit të vitit 2024, ulja e normave të interesit të Bankës së Shqipërisë dhe kërkesa e lartë e investitorëve në tregun primar të titujve qeveritarë kishte sjellë një tendencë të vazhdueshme rënëse për këto instrumente. Kjo bëri që shumica e titujve afatgjatë të preknin nivelet më të ulëta historike në gjysmën e parë të këtij viti. Megjithatë, ishte e pritshme që rënia e fortë e yield-eve do të pasohej nga një korrektim i tyre në rritje dhe pikërisht një gjë e tillë ka ndodhur duke filluar që prej muajit qershor, sidomos për instrumentet me maturim afatgjatë.Rritja e yield-it të obligacioneve afatgjata është një zhvillim pozitiv për investitorët e interesuar për këtë segment të tregut, sidomos për fondet private të pensionit, që i investojnë asetet e tyre në masën dërrmuese në instrumente me afate të gjata maturimi, për të maksimalizuar kthimet.Obligacionet 20-vjeçare u emetuan për herë të parë në muajin janar të këtij viti, nëpërmjet një ankandi për testimin e tregut. Kërkesa nga investitorët rezultoi mjaft e lartë dhe nga 1.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur e emetimit, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 4.26 miliardë lekëve. Falë kërkesës së lartë dhe çmimit të favorshëm, Ministria e Financave vendosi ta rrisë shumë e emetimit me 15%, për një vlerë totale prej 1.72 miliardë lekësh. Yield-i uniform i pranuar dhe kuponi i obligacionit rezultuan në nivelin 6.78%, poshtë kuponin referencë prej 7% të paraqitur para ankandit nga Ministria e Financave.Në rihapjen e ankandit, që u zhvillua në muajin mars, yield-i uniform i pranuar i ankandit zbriti në 6.15%, duke ndjekur tendencën e përgjithshme të tregut të instrumenteve të borxhit qeveritar. Edhe rihapja e ankandit tërhoqi interes mjaft të lartë të investitorëve. Nga 1 miliard lekë që ishte shuma e shpallur e emetimit, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 2.67 miliardë lekëve. Për shkak të kërkesës së lartë dhe çmimit të favorshëm, Ministria e Financave vendosi ta rrisë shumë e emetimit me 15%, për një vlerë totale prej 1.15 miliardë lekësh.Ndërsa, në ankandin e tretë, në muajin qershor të këtij viti, yield-i uniform i pranuar i këtyre instrumenteve u rrit në 6.5%. Nga 2 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand u kufizua në 1.93 miliardë lekë.Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare./ E.Shehu Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.