Ka nisur seanca e sotme parlamentare, e cila pritet të jetë një seancë maratonë për punimet e Kuvendit, ku kryeministri Edi Rama po prezanton programin e qeverisë së tij për periudhën 2025–2029. Gjithashtu pritet edhe votëbesimi i ministrave të rinj, si dhe i shefit të ekzekutivit, pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj.
Në seancë pritet të ketë diskutime dhe sipas mbledhjes së krerëve të grupeve parlamentare, secili ligjvënës do të ketë në dispozicion 10 minuta kohë.
Programi i qeverisë është ndërtuar mbi tre shtylla kryesore:
Shqipëria EvropianeRritja ekonomike e qëndrueshmeMirëqenia për të gjithë
Shqipëria Evropiane, shtylla e parë, lidhet drejtpërdrejt me anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030. Negociatat pritet të përmbyllen në vitin 2027, e më pas të nënshkruhet traktati i anëtarësimit.
Shtylla e dytë, ajo ekonomike, parashikon një prodhim të brendshëm bruto prej 35 miliardë eurosh deri në vitin 2029, si dhe rritje të të ardhurave për frymë deri në 15 mijë euro. Në politikat fiskale përfshihet mbajtja e taksës 0% për bizneset e vogla deri në vitin 2029.
Shtylla e tretë e programit “Shqipëria 2030” është fokusuar në mirëqenien, duke përfshirë politikat sociale, arsimin dhe shëndetësinë. Për arsimin, parashikohet ngritja e një mijë laboratorëve inteligjentë dhe integrimi i kodimit dhe inteligjencës artificiale. Ndërsa në sektorin e shëndetësisë, buxheti pritet të trefishohet, me rikonstruktimin e 53 spitaleve dhe ndërtimin e spitaleve të reja. Për punonjësit, sipas programit, parashikohet rritje e pagave. Ndërkohë, në pjesën sociale flitet edhe për mbështetje përmes bonusit për bebet, strehimin social dhe kujdesin për personat në nevojë. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe mbrojtjes së mjedisit, me masa si riciklimi dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra.
