“Rama po instalon ‘Republikën e Censurës’”/ Media, dhe fjala e lirë reagon deputetja: Është kthyer në teatër propagande

E ftuar në një emision televiziv, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka deklaruar se në këtë mandat parlamentar do të drejtojë Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, pas riorganizimit të komisioneve parlamentare nga mazhoranca.
Zhupa akuzon kryeministrin Edi Rama për përpjekje sistematike për të kontrolluar informacionin dhe mediat, duke e cilësuar situatën aktuale si një tentativë për të instaluar ‘Republikën e Censurës.
Ina Zhupa:
Në këtë mandat unë do të drejtoj komisionin për kulturën, turizmin dhe diasporën, pasi që këto marifetet e Edi Ramës, komisioni që unë drejtoja e kishte dhe kulturën, dhe median dhe edukimin. U nda në 3 komisione dhe edukimi u bë veç, media veç dhe kultura veç. Dhe sigurisht edhe për shkak të betejave në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore, turizmit.
Edi Rama, ju e shikoni vetë, me të gjitha aktet është duke tentuar të instalojë atë që do të quhet ‘republika e censurës’. Sepse siç e tregon çdo literaturë, çdo libër që mund të jetë shkruar ndonjëherë si skaner për diktaturën apo autokracinë, informacioni është arma më e rrezikshme kundër shtetit. Dhe Edi Rama këtë e di dhe përpiqet, pavarësisht që i ka të gjitha institucionet lufta e vërtetë është që njerëzit të mos kenë informacionin mbi atë që ndodh në qeverisje, në institucione, në korrupsion, në lidhje me krimin e në gjithçka tjetër, dhe propaganda të jetë e vetmja në politikë dhe Kuvendi të jetë një skenë teatri ku ka një regji qendrore, ku ka disa fjalime të parashkruara nga deputetët e tij nga zyra e tij e piar-it.
Dëshira e tij për të kontrolluar mediat dhe lufta ndaj mediave nuk është një risi e Edi Ramës që ne pamë tani, është një përpjekje e vazhdueshme që nga ‘Rama 1’ e deri më tani.