Nga Julia Vrapi
Zbatimi i së drejtës së autorit vazhdon të mbetet problem për krijues të muzikës. Herë pas here autorë të ndryshëm kanë shprehur probleme, por sipas tyre ka një neglizhencë nga institucionet në vend. Kompozitori Osman Mula “Mjeshtër i Madh”, i cili ka reaguar dhe më parë për problemet me të cilat përballen krijuesit thotë se nuk bëhet sa duhet për të drejtën e autorit në vend. Në një reagim të tij kompozitori Osman Mula shprehet ndër të tjera se artistin nuk e mban politika, por rregullat që botohen në kushtetutë si e drejtë e pamohueshme e autorit. “Vazhdoj të them me forcë për vjedhjen dhe neglizhencën fatale për krijuesit, që quhet mohimi i të drejtës së autorit. Bota ka dekada dhe shekull, që autorët i paguan dhe ja ruan privatësinë si gjë të shenjtë dhe nuk mund të luash me to se do paguash gjobë të madhe sa nuk del nga borxhi kurrë. Atëherë si mbahet artisti? Artistin nuk e mban as shteti as politika, por rregullat që botohen në kushtetutë si e drejtë e pamohueshme e autorit”, shprehet kompozitori i njohur Osman Mula. Reagimin e tij për të drejtën e autorit kompozitori Osman Mula e ka ndarë edhe në rrjete sociale, ku dhe të tjerë krijues i janë bashkuar për problemet që shpreh. Kompozitori Osman Mula sjell në vëmendje dhe se si prodhohen albumet muzikore jashtë vendit dhe se si paguhen artistët. Sipas tij nëse ka sukses një artist fillojnë dhe bisedimet mes producentëve për realizimin e një spektakli, etj. “Artisti prodhon albume me anë të menaxherëve, avokatëve mbrojtës që përpilojnë kontratat, shtëpitë diskografike, studiove private dhe është një rreth, që secili i di detyrat dhe i zbaton ato. Pasi realizohen albumet shiten. Më të ardhurat marrin hakun çdo hallkë dhe pasi forcojnë të ardhurat vazhdojnë projektet e tjera. Kështu ndodh kur këngëtari ka sukses me albumin e ri fillojnë bisedimet mes producentëve për realizimin e spektaklit në stadiume e me radhë. Njëri merr përsipër anën teknike si skena, fonia, ndriçimi, transmetimi në Tv, shitjen e biletave, spoteve, reklamave, etj. Pra këtu s’ka asnjë ndërhyrje politika, përveç asaj artistike”, shprehet kompozitori i njohur Osman Mula në reagimin e tij.
Ndërhyrja e politikës
Osman Mula kompozitor, drejtues i festivaleve dhe emisioneve të muzikës ndër vite shprehet se jemi i vetmi vend i botës pa distribucion. Ai thotë se artisti nuk mund të prodhojë dot album muzikor, pasi ka vështirësi në shpërndarje, por dhe i vetëm nuk mund ta realizojë dot një koncert. “Çfarë ndodh tek ne: Artistët nuk prodhojnë albume se nuk ti porosit kush se nuk ke kompani shpërndarëse as dyqane që shet apo blen kaseta. I vetmi vend i botës pa distribucion. Radiot nuk ti marrin se nuk ti paguajnë dot. I vetëm nuk mund të realizosh koncert në stadium se duhet buxhet shumë i madh. Edhe ndonjë kangë që mund të merret nga interneti nuk paguhet. Hiq një buxhet të vogël, që jep RTSH, por as ajo nuk mjafton kur shpërndahet thjesht 10.000 lekë në vit për krijuesin”, thotë kompozitori Osman Mula. Sipas tij përballë kësaj gjendje dhe duke mos funksionuar asgjë ka ndërhyrje të politikës te artistët. Kompozitori Mula shprehet se politika i ndan artistët në parcela dhe ka prej tyre që vrapojnë drejt përfitimeve. “Atëherë këtu, duke mos funksionuar asgjë futet politika. Do koncert ti të bësh? Të jap unë si bashki, por do më bësh reklamë mua do më ftosh në mes të recitalit, do më falenderosh dhe do ti thuash publikut: Këtyre jepjani votën. Atëherë artisti lëpihet vihet në shërbim të politikës për mbijetesë dhe fillon fushatën me shefin e qeverisë qysh në avion. I jepen salla, lekë pa fund. I fton në ekran, i krijon mundësinë që të prishet gjysma e parkut se do vihet skenë për recitalin e filanit, etj. Të tjerëve i thotë merrni nga një pemë filloni fushatën për ne t’ju japim pension të veçantë. Kështu që, politika me realizimin e një lufte të re të klasave i ndan artistët në parcela. Ky është i imi ky tjetri jo. Ato që nuk janë me mua le të falimentojnë. Dhe artistët vrapojnë për të kapur llogmat e lëpirjes”, shprehet kompozitori Mula në reagimin e tij.
Si do të mbijetojnë artistët?
Kompozitori Osman Mula sjell në vëmendje se e drejta autorit ka qenë dhe te pikat që Këshilli i Europës vite më parë i vuri detyrë politikë shqiptare. Por sipas tij ende sot krijuesi sot është pa përkrahje. “Para disa vitesh Këshilli Europës i vuri 10 pika detyrë politikës, ku njëra ishte respektoni të drejtën e autorit. Sot Europa hesht, bashkë me to edhe shteti se nuk i leverdis se do lëpirësit. A mund të zgjidhet pagesa e të drejtës së autorit? Po. Siç ke vënë sahatin për ujë e drita ke organizmat, që monitorojnë mediat dhe transmetimet Radio – Televizive. Po, pse si më kërkon llogari kur fshatarin për 20 000 lek të vjetra e fut në burg për mospagim dritash ? Po pse krijuesin e lë kështu, që ta tërheqësh nga hunda ti si politikë edhe ta bësh skllav? Dhe thonë patronazhistët: Artistët s’duhet të merren me politikë, po mirë po pse politika merret me artistin dhe ja merr frymën?”, shprehet Mula. Krijues e artistë të ndryshëm përballen me jo pak vështirësi në aktivitetin artistik, por në vijim të reagimit të tij kompozitori Osman Mula thotë se nuk duhet të heshtet. Kompozitori shtron pyetjen, si do të mbijetojnë artistët. “Po ti Europë pse hesht se ti i di çdo thotë të mos e paguash një kompozitor apo regjisor a këngëtar e poet ?! Ne një jetë kemi dhe këtë profesion të nderuar kemi, po si atëherë do mbijetojmë? Si do mbajmë familjet?”, vijon kompozitori Mula. Ndërsa krijues të ndryshëm flasin për respektimin e ligjit, kjo gjë ka sjellë dhe më parë diskutime. Dikur dhe dëgjesa publike nga Ministria e Kulturës për ndryshimet në ligjin për të drejtën e autorit riktheu debatet për zbatimin e tij.
Vëmendja e munguar ndaj krijimtarisë kombëtare
Për autorë të muzikës duhet bërë më shumë edhe për promovimin e krijimtarisë muzikore shqiptare në vendin tonë. Por dhe kompozitori Osman Mula shprehet se bota ka një ligj, që nuk e diskuton që në çdo shtet 70 për qind e muzikës duhet të jetë nacionale për të mbajtur gjallë krijimtarinë kombëtare dhe për të paguar krijuesin. “Në gjithë rajonin tonë dhe në të gjithë vendet e botës së tretë paguhet e drejta e autorit. Këtu mbaron shkollën për regjisor, por s’ka skena as kinostudio për të realizu film, por se mos kena kinema. Kur nuk realizon asgjë nuk përfiton. Ky është falimentim total. Sot rrugët e botës i pastrojnë shqiptarët, që kanë mbaruar fakultete dhe lozin Rahmaninov ! Së fundi; nëqoftëse kërkoni të shkoni në Europë mendojeni mirë të drejtën e shenjtë të ruajtjes dhe të pagesës së krijimtarisë artistike se nuk ka gjykatë në botë që të bën derman. Dilni artista nga zgjedha e frikës dhe mbroni të drejtën tuaj se lëpirja të lë rrugës”, shprehet Osman Mula në fund të reagimit të tij. Osman Mula “Mjeshtër i Madh” është nga regjisorët më të njohur në RTSH, drejtues i festivaleve, emisioneve të muzikës, saksofonist i talentuar dhe kompozitor i vlerësuar me çmime ndër vite. Osman Mula është njeriu që ka zbuluar me dhjetëra talente dhe që e ka sjellë spektaklin në nivele të larta, duke respektuar traditën dhe duke e harmonizuar me modernen.
Osman Mula: Vjedhje dhe neglizhencë fatale për krijuesit, që quhet mohimi i së drejtës së autorit
