‘Nëse nuk sheh RTSH, mos i thuaj popullit ta mbyllë”, Gëllçi ironizon Shehajn: Të mbyllim dhe parlamentin, pse jo

Pas deklaratës së deputetit Agron Shehaj, i cili propozoi mbylljen e RTSH-së për të kursyer buxhetin, ka reaguar me një status ironik ish-drejtori i përgjithshëm i televizionit publik, Thoma Gëllçi. Në një koment të gjatë dhe sarkastik, Gëllçi e cilësoi këtë ide si një retorikë populiste dhe të rrezikshme për institucionet publike dhe kujtesën kolektive.
“Të mbyllim RTSH-në, thotë Agron Shehaj. Por pse të ndalemi këtu? Mbyllim edhe Parlamentin, teatrot, bibliotekat… edhe memorien kolektive! Se është më lirë të harrosh sesa të kujtosh,” – shkroi Gëllçi në Facebook.
Ish-drejtori i RTSH-së thekson se televizioni publik financohet nga një taksë direkte e qytetarëve, ndryshe nga Parlamenti që paguhet drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit. Ai bëri një krahasim të fortë midis pagës së një gazetari në RTSH (500 USD) dhe një deputeti (3000 USD), duke sugjeruar se kritikat duhet të shkojnë diku tjetër.
“RTSH nuk mbulohet nga buxheti i shtetit, por nga një taksë e qytetarëve. Dhe nëse duhet të flasim për kursime, ndoshta duhet ta nisim nga diku tjetër,” – shton ai.
Gëllçi i bën thirrje Shehajt që të mos i paraqesë mbylljen si zgjidhje për problemet e institucioneve, por të punojë për reformimin e tyre, nëse vërtet dëshiron të kontribuojë në përmirësimin e vendit.
“Nëse RTSH-ja ‘s’bëhet’, reformoje. Nëse nuk e sheh, mos e shiko. Por mos i thuaj popullit të heqë dorë nga ideja e një media publike – sepse atëherë, s’do të na duhej më as publik, as demokraci.”
Duke e krahasuar Parlamentin me një reality show dhe RTSH-në me një dokumentar mbi natyrën, Gëllçi ironizon nivelin e ulët të debatit politik, duke nënvizuar se problemi nuk është media publike, por përmbajtja e mesazheve që dëgjohen nga zyrtarët e lartë.
“Jo gjithmonë është mediumi i tepërt – ndonjëherë është mesazhi që s’ka kuptim,” – përfundon Gëllçi.
Ky debat ndez një diskutim më të gjerë për rolin e institucioneve publike, reformimin e tyre dhe rëndësinë e mbrojtjes së hapësirës mediatike publike, në një kohë kur besimi i qytetarëve ndaj politikës dhe institucioneve është në rënie.