Vonohen pagesat e mbi 3300 numëruesve të zgjedhjeve të 11 majit, KQZ fajëson bashkitë

Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër muaj nga zgjedhjet e 11 Majit, 3,300 numërues ende nuk kanë marrë pagesat për ditët e punës në numërimin e votave. Në këto zgjedhje u caktuan gjithsej 3,327 numërues, të cilët do të paguheshin sipas një urdhri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të firmosur më 8 janar 2025.
Urdhri përcaktonte se pagesa për një numërues do të ishte 6,000 lekë, që bën një total rreth 20 milionë lekë për të gjithë numëruesit. Numëruesit e votës së Diasporës përfunduan procesin më 20 maj, nëntë ditë pas ditës së zgjedhjeve.
Disa numërues kanë shprehur pakënaqësi për vonesën e pagesave, duke deklaruar se ende nuk kanë marrë paratë dhe nuk kanë informacion se si të procedojnë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se fondet për pagesat janë kaluar pranë bashkive, me qëllim shpërndarjen tek numëruesit sipas listave të paraqitura nga komisionet vendore. Pagesat bëhen sipas bordereve të paraqitura nga Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor pranë bashkive përkatëse.
Për listat që kanë ardhur me vonesë ose të paplota, KQZ-ja ka dërguar një fond të dytë në gusht për shpërndarje tek bashkitë. Komisioni Qendror thekson se fondet janë në dispozicion të çdo bashkie, duke lënë për shpjegim vonesën tek bashkitë që nuk i kanë bërë ende pagesat tek numëruesit.