“PS mbyll gojën e gazetarëve”, gazetari paralajmëron bojkot të seancave plenare:Mazhoranca po e shndërron Kuvendin në..

Gazetari Isa Myzyraj, njëkohësisht kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH ka reaguar ashpër ndaj nismës së mazhorancës, për moslejimin e gazetarëve brenda hollit të Kuvendit të Shqipërisë apo pozicionimin e tyre në një vend të caktuar në oborrin e Parlamentit.
Në një intervistë televizive, Myzyraj tha se një nismë e tillë është shumë shqetësuese, pasi kjo gjë vetëm sa do të bunkerizojë më tej institucionet shqiptare në llogaridhënien e tyre përpara qytetarëve.Sipas gazetarit Myzyraj, kjo sjellje e PS dhe mazhorancës, përmes një nisme të tillë u shkon për shtat vetëm vendeve autoritare dhe rritj më tej autoritarizmin në një vend demokratik si Shqipëria, duke bërë që medias t’i mbyllet e drejta e shprehjes.
Myzyraj, edhe në cilësinë e kreut të AGSH-së u bëri thirrje kolegëve të tjerë gazetarë që të dalin kundër kësaj nisme, deri në bojkot të seancave plenare, pasi ajo do të ndikonte edhe në punën e tyre si gazetar.
Informacionet janë të pakta, ne kemi mundur të mësojmë mbi planet e PS dhe grupit parlamentar pas një takimi informal të Ballës me gazetarët gjatë ditës së sotme. Knnë hedhur idenë që gazetarët s’munden më të filmojnë në llozhat e parlamentit brenda në Kuvend, ku gazetarët kanë vend të veçantë e filmojnë. Ka pasur argument, PS e kanë shqetësuar videot e fotot që shkrepen nga gazetarët nga lart. U cenohet privatësia, janë deri diku absurde.
Është një tjetër element shumë shqetësues, se sa ndalimi në sallat plenare. PS synon që gazetarët që qëndrojnë në oborr të pozicionohen në një cep, e kush deputet dëshiron të flasë afrohet aty. Kjo është shumë shqetësuese, pasi të gjitha institucionet njihen tanimë që kanë një bunkerizim sa i përket medias e gazetarëve, Ministrat e PS, deputetët s’bëjnë më konferenca për shtyp. Dita e seancave plenare është ditë e mirë për gazetarët për pyetje ndaj ministrave e deputetëve për shqetësimet e qytetarëve. Do ta bunkerizojnë më shumë, dhe nuk na lejojnë më të bëjmë pyetje.
Vendet autoritare dhe autoritarizmi s’kanë brirë. Diktaturat moderne kanë elementë të tillë, si mbyllja e gojës së gazetarëve apo edhe moslejimi i pyetjeve. Do hiqen gazetarët nga puna e redaksitë s’do kenë më nevojë për ne. Marrëdhënia e medias me parlamentin, është përmes një rregulloreje të veçantë e s’ka nevojë të miratohet në seancë.
Ndaj ne kemi kërkuar, si AGSH, kam vënë në dijeni organizata ndërkombëtare dhe delegacionet e huaja për të reaguar ndaj kësaj nisme. U bëj thirrje kolegëve gazetarë që të bëjmë presion, deri në bojkot të seancave për ata që miratojnë një nismë të tillë.