‘PS synon 21 mandate në Tiranë’, Felaj: Drejtësia sot është më e pavarur se kurrë

Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, ka deklaruar se synimi i PS-së në zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Tiranës është arritja e 21 mandateve. Në një intervistë televizive, ajo theksoi se në zgjedhjet e mëparshme partia ka qëndruar në kufirin mes 18 dhe 19 mandateve, por këtë herë objektivi është më ambicioz.
“Jemi në prag të çeljes së fushatës. Fushata kërkon punë dhe përgjegjësi. Edhe kur kam qenë në listat e mbyllura, kam punuar për të maksimizuar rezultatin. Rëndësi ka që PS të fitojë dhe rezultati të jetë domethënës,” u shpreh Felaj, e cila është në garë për mandatin e saj të pestë në Kuvend.
Ajo shtoi se vendosja e objektivave bazohet në trendët historike dhe analizat e deritanishme, por theksoi se struktura e PS-së në Tiranë është në mobilizim të plotë për të rritur rezultatin zgjedhor.
Felaj ndaloi edhe te drejtësia, duke nënvizuar se sistemi aktual është më i pavarur se kurrë. Sipas saj, goditjet ndaj elementëve kriminalë nuk janë tregues se krimi është shtuar, por përkundrazi, se efikasiteti i drejtësisë ka ardhur në rritje.
“Në të kaluarën nuk ka pasur goditje sepse drejtësia nuk ishte kaq e pavarur sa është sot. Krimi nuk ka qenë i zbuluar më parë, tani ka më shumë efikasitet. Krimi i organizuar është një sfidë globale,” deklaroi ajo.
Felaj theksoi se ky është një rezultat konkret i reformës në drejtësi dhe mbështetja ndaj institucioneve të reja duhet të vazhdojë.