Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë AGSH ka një apel për kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi dhe mazhorancës, sa i takon masave të reja për atë që e cilësojnë “kufizim të mediave”.
“Planet e diskutuara së fundmi, për të mos lejuar kamerat brenda sallës së seancave plenare dhe për të kufizuar aksesin e gazetarëve në oborrin e Parlamentit, u heqin përfundimisht mundësinë gazetarëve për të pasur kontakte direkte me deputetët dhe ministrat, të cilët duhet të japin llogari për punën e tyre”, thuhet në postimin zyrtar të AGSH.
“AGSH i bën thirrje Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe të gjithë aktorëve të përfshirë që të mos avancojnë me këto plane, të cilat dëmtojnë rëndë lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar mbi aktivitetin e deputetëve që ata kanë votuar”, thekson AGSH.
AGSH i bën thirrje edhe opozitës në Parlament që të përdorë të gjitha instrumentet për të mos lejuar një kufizim të tillë. Më tej bën me dije se do të informojë menjëherë partnerët ndërkombëtarë.
“AGSH i bën thirrje gjithashtu të gjitha redaksive mediatike që të ushtrojnë ndikimin e tyre për të mos lejuar realizimin e këtij plani. Oborri i Parlamentit dhe salla e tij janë “ishulli” i fundit që u ka mbetur mediave për të bërë pyetje dhe për të xhiruar pa regji“, përfundon Asocacioni i Gazetarëve.
AGSH thirrje Peleshit edhe maxhorancës: Nuk mund t’i mbyllni dyert e Kuvendit për median!
