“Kur ndjenjat marrin zë” me Ermonela Jahon,një program muzikor që ka pjesë që nuk janë luajtur më parë në skenën e TKOB

Nga Julia Vrapi
Koncerti “Kur ndjenjat marrin zë” rikthen sopranon Ermonela Jaho në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Publiku mbrëmjen e së mërkurës do të përjetojë një udhëtim muzikor mes arieve dhe kryeveprave botërore. Koncerti do të jetë nën dirigjimin e maestros Fabrizio Maria Carminati. Koncerti këtë mbrëmje në TKOB vjen në vijim të aktivitetit artistik të sopranos së mirënjohur Ermonela Jaho. Ajo shprehet se koncerti “Kur ndjenjat marrin zë” është me një program sfidues për të.
Një ditë më parë sopranoja u shpreh se koncerti vjen për publikun dhe me pjesë, që nuk janë luajtur më parë në skenën Teatrit të Operës në vendin tonë. “Nga bel canto deri në verismo, unë them se është një program më tepër sfidues për mua, sidomos që do e mbaj vetëm për dy orë. Një program, që ka pjesë që nuk janë luajtur asnjëherë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”, tha sopranoja Ermonela Jaho. Koncerti “Kur ndjenjat marrin zë” me sopranon Ermonela Jaho pritet të jetë dhe një ndër eventet e veçanta në jetën artistike dhe kulturore këtë muaj, ku Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të jetë nën dirigjimin e maestro Fabrizio Maria Carminati dhe dirigjent kori do të jetë Dritan Lumshi. Koncerti që zhvillohet në TKOB në programin e tij përmban kryevepra botërore nga kompozitorët  Verdi, Bellini, Donizetti, Puccini, Cilea e të tjerë, që do të vijnë me interpretimin e sopranos Ermonela Jaho për të dhuruar një mbrëmje të veçantë për publikun.
Koncerti në Shqipëri
Sopranoja shqiptare me një aktivitet të suksesshëm ndërkombëtar Ermonela Jaho ka performuar në Opera në mbarë botën dhe rikthehet këtë shtator me një tjetër koncert në skenën e TKOB-së. Ajo thotë se kthimi në Shqipëri për të është gjithmonë gëzim. “Kthimi në Shqipëri është gëzim, edhe sfidë, mund të them. Çfarë mund të jap ndryshe? Çdo ditë ne ndryshojmë, ashtu si çdo ditë e jona është ndryshe. Jemi një ditë më të rritur dhe kemi diçka për të sfiduar dhe zbuluar në veten tonë. Ashtu është edhe në muzikë. Është një detyrim për publikun shqiptar, është një detyrim për brezat e rinj, për t’ju dhënë një shpresë se sot çdo gjë që shihet si e paarritshme, është e arritshme”, shprehet sopranoja Ermonela Jaho.
Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera, Teatro Real Madrid, Berlin Staatsoper, Opera National de Paris, Theatre des Champs-Élysées, Staatsoper Vienna, Bayerische Staatsoper, Opera Australia, Teatro Colon Buenos Aires, Gran Teatre del Liceu Barcelona, Teatro alla Scala janë disa nga skenat ku ka performuar sopranoja shqiptare me karrierë ndërkombëtare Ermonela Jaho. Përgjatë aktivitetit të saj si soprano ajo është vlerësuar edhe me çmime të ndryshme. Koncerti që zhvillohet këtë mbrëmje në TKOB më pas do t’ia lërë radhën dhe të tjera shfaqjeve e koncerteve, që janë pjesë e programit muzikor këtë sezon të ri artistik që ka nisur. Më datë 8 qershor 2025,  artistja shqiptare e njohur ndërkombëtarisht, sopranoja Ermonela Jaho mbajti një koncert  në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku performoi e shoqëruar nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës.