Nga Julia Vrapi
Filmi “Përrallë nga e kaluara” me regji nga Dhimitër Anagnosti hap dhe eventin kulturor “Netët e filmit shqiptar”. Për këtë event kulturor është bërë një përzgjedhje e filmave shqiptarë, që mbajnë emrin e regjisorëve të njohur. Ky cikël do të vijojë deri në muajin dhjetor këtë vit me shfaqjen e filmave të tjerë shqiptarë të regjisorëve Xhanfise Keko, Muharrem Fejzo, Fehmi Hoshafi, Saimir Kumbaro, për publikun e gjerë si dhe me shfaqje dedikuara për shkollat e Prishtinës. Cikli “Netët e filmit shqiptar”, një event kulturor i organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë dhe Kino Armata në Prishtinë, do të hapë siparin ditën e mërkurë në mbrëmje. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka njoftuar për hapjen e ciklit “Netër e Filmit Shqiptar” në Kosovë. “Kjo shfaqje është edhe një homazh për mjeshtrin e madh Dhimitër Anagnosti (1936-2025) – një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë shqiptare, regjisor i dhjetëra veprave të mëdha, që solli në ekran dramën njerëzore me një gjuhë filmike moderne dhe të fuqishme”, shkruan Malaj në Facebook. Eventi kulturor te Kino Armata me shfaqjet e filave shqiptarë është në vijim dhe të tjerë aktiviteteve, që ka qenë në bashkëpunim dhe Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit. Herë pas here AQSHF sjell në vëmendje projekte të filmave shqiptarë ndër vite, ndërsa dhe bashkëpunon për shfaqjen e tyre në evente të ndryshme kulturore. Filmi prodhim kinematografik i vitit 1987 me regji nga Dhimitër Anagonsti “Nderi i Kombit” u shfaq më parë gjatë verës në muajin korrik nga bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF) në kinemanë verore të DPA-së.
Filmi me regji nga Anagnosti
Filmi “Përrallë nga e kaluara” i prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re”, është mbështetur mbi disa motive të veprës së Andon Zako Çajupit “14 vjeç dhëndër” dhe më pas skenari është zhvilluar si krijim origjinal i Dhimitër Anagnostit. Regjisori Dhimitër Anagnosti i dha jetë kësaj novele me një trupë aktorësh të papërsëritshëm, në vitin 1987. Disa vite më parë ky film iu nënshtrua dhe procesit të restaurimit. Filmi tregon historinë e martesës së Gjinos 14 vjeçar me Marigonë 20 vjeçare. Marigoja hakmerret me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe më në fund fiton dashurinë dhe jetën e saj. Muzika e filmit është nga Limos Dizdari. Aktorë në role Admir Sorra, Elvira Diamanti, Robert Ndrenika, Hajrie Rondo, Xhevdet Feri, Xhemil Tagani, Mira Minga, Mimika Luca, etj. Regjisori i mirënjohur i kinematografisë shqiptare Dhimitër Anagnosti lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 23 janar të vitit 1936. U nda nga jeta në orët e para të 1 shtatorit 2025 në moshën 89-vjeçare. Dhimitër Anagnostit nderuar me titullin “Nderi i Kombit” i numërohen në karrierën e tij mbi 40 vjeçare, 15 skenarë, 14 filma artistikë, 10 dokumentarë dhe disa çmime kombëtare e ndërkombëtare.
“Përrallë nga e kaluara” nga Anagnosti hap “Netët e filmit shqiptar”, filma të tjerë shqiptarë vijojnë deri në dhjetor
