“Rama, ka kapur të gjitha pushtetet”/ PL, reagon me akuza të rënda: Ka vënë nën këmbë të gjitha pasuritë e vendit

Deputetja e Partisë së Lirisë dhe anëtare e Komisionit të Integrimit, Erisa Xhixho, akuzoi mazhorancën se po e shkrin qëllimisht këtë komision duke ia hequr drejtimin opozitës dhe njëkohësisht po e përjashton nga procesi i integrimit të Shqipërisë, që duhet të jetë gjithpërfshirës.
Me një deklaratë të bërë sot për mediat pas seancës plenare të ndërprerë dhe në pritje të rinisjes së saj, ligjvënësja e PL theksoi se mazhoranca ka kapur të gjitha pushtetet në vend dhe ka zëruar të gjitha përpjekjet për rolin konstruktiv, duke kapur edhe Komisionin e Integrimit.
“Mazhoranca ka vendosur të përjashtojë opozitën nga drejtimi i Komisionit të Integrimit në momentin më të rëndësishëm për këtë proces. Në një kohë ku gjithëpërfshirja në këtë proces ishte domosdoshmëri, ky komision do të bëhet monopol i qeverisë. Procesi i integrimit nuk është tagër vetëm i qeverisë, por duhet të jetë gjithpërfshirës, jo vetëm aktorët politikë, por edhe akademik, media, shoqëria civile dhe çdo burim në vend. Me arrogancën që e karakterizon mazhoranca socialiste po kërkon t’i kufizojë opozitës hapësirën në Parlament, duke e përjashtuar nga një proces kaq jetik për vendin. Me shkrirjen e Komisionit të Integrimit, që kishte në dorë opozita për të luajtur një rol konstruktiv në procesin e integrimit, në këtë moment zerohet”, tha Xhixho në fjalën e saj.
Deputetja nënvizoi edhe qëllimet e qeverisë dhe Parlamentit, të cilin e cilësoi si një regres.
“Pasi ka kapur të gjitha pushtetet, pasi ka vënë nën këmbë të gjitha pasuritë e vendit, kjo qeveri synon të kapë edhe Komisionin e Integrimit, duke shënuar qartazi një regres në demokracinë parlamentare. E njëjta qeveri që në 2017 shkriu Ministrinë e Integrimit, kërkon tani të bllokojë procesin në momentin më deçiziv të tij, duke e bllokuar”, vijoi ajo.