Java Kulturore e Arabisë Saudite zhvillohet për herë të parë në vendin tonë dhe do të ofrojë një sërë aktivitetesh. Punëtori për artistët dhe profesionistët nga të dy vendet janë pjesë e aktiviteteve, do të ketë edhe forume debatuese me intelektualë dhe shkrimtarë, si dhe prezantime mbi trashëgiminë botërore të regjistruar në UNESCO. Aktivitetet përfshijnë po ashtu ekspozita të dorëshkrimeve arabe të rralla nga biblioteka saudite, kaligrafi, veshje tradicionale dhe mundësi për tu fotografuar me kostume autentike. Ekranet interaktive me dorëshkrime digjitale arabe do t’i mundësojnë vizitorëve të eksplorojnë trashëgiminë gjuhësore të tyre. Java Kulturore e Arabisë Saudite zhvillohet te Pallati i Kongreseve, 16-20 Shtator.
Një seksion i veçantë do t’u dedikohet shkrimtarëve të njohur sauditë, veprat e të cilëve janë përkthyer në shqip. Po ashtu, do të prezantohen romane dhe botime me tregime të shkurtra, ndërsa do të ofrohet një hapësirë informuese për qytetin Taif, të shpallur nga UNESCO si “Qyteti Kreativ i Letërsisë”. Një eksperiencë kulinarie do të sjellë shije tradicionale të Rajoneve të Arabisë Saudite. Pjesë e programit do të jenë artet performuese, të cilat do të pasqyrojnë traditat, ritmet dhe shprehjet artistike të Arabisë Saudite, ku aktivitetet sjellin dhe ekspozitën e instrumenteve muzikore tradicionale. Këto ditë nuk do të mungojnë dhe performanca të përbashkëta mes muzikantëve sauditë dhe shqiptarë, si dhe koncerte nga artistë të njohur. Në vijim të aktiviteteve vijnë dhe shfaqjet e filmave të shkurtër, që sjellin në ekran pasurinë dhe larminë e rajoneve të ndryshme të Arabisë Saudite, duke pasqyruar trashëgiminë, traditat dhe artin e vendit. Java Kulturore e Arabisë Saudite organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Java Kulturore e Arabisë Saudite, me ekspozita, filma dhe aktivitete të tjera
