“Koka” e bandës famëkeqe të Lushnjes, Aldo Bare kërkon uljen e masës për sjellje të mirë

I dënuar me burg përjetë, Aldo Bare i është drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesë për uljen e dënimit. Kështu ka bërë me dije gazetarja Anila Hoxha. Kjo nuk është hera e parë që Bare kërkon ulje dënimi, me arsyetimin për sjellje të mirë. Edhe në vitin 2023 ai përmes avokatëve bëri të njëjtën kërkesë. Por kush është Aldo Bare? Alfred Shkurti, ish-speciali i forcave RENEA, ose i njohur ndryshe si Aldo Bare, hyri në botën e krimit në vitin 1997, pasi atij i vrau vëllanë banda e Artur Dajës, gjatë një përleshje me armë zjarri. Pas vrasjes se Ramadan Shkurtit, në Lushnjë nisi të operonte banda e Aldo Bares së cilës Drejtësia i numëron më shumë se njëzet vrasje, dhjetëra plagosje dhe vënie gjobash. Kaq mjaftoi që vrasjet më pas të lidheshin zinxhir dhe natyrisht Bare nuk ishte i vetëm në gjithë këtë betejë personale. Ish-speciali kishte arritur të rekrutonte në bandën e drejtuar prej tij Ilir Stërgun, Afrim Hoxhën, Arben e Enver Boriçin, Enver Dondollakun, të gjithë shokë, miq e të afërm të “kokës” së grupit, Aldo Bare dhe vëllait të tij Ramadan Shkurti.
Më pas kësaj bande iu bashkuan edhe: Maksim Çela, Erion Cici, Dritan Vila, Leonard Prifti, dhe shumë të rinj të tjerë. Me mbledhjen e këtyre “ushtarëve” përreth “kryetarit”, siç e quanin në biseda telefonike Aldo Baren, filluan edhe ekzekutimet në qytetin e Lushnjës ndaj Artur Dajës, shokëve, miqve e familjarëve të tij, teksa në kurriz të kësaj bande janë të paktën 20 vrasje, plagosje, rrëmbime dhe gjoba. Ndryshe nga të gjitha bandat që vepronin në vitin 1997 në vend, banda e Lushnjes, që u drejtua nga Aldo Bare, arriti të krijonte një komisariat të vetin në qytet, atë që mbahet mend edhe si “Komisariati Nr. 2”. Mbretërimi i tij në qytet zgjati për gati 10 vjet, deri në vitin 2006 ku u godit dhe koka e bandës, Aldo Bare i cili u arrestua në Maqedoni. Aldo Bare qëndroi për shumë kohë në arrati, por në vitin 2006 dhe arrestua në Turqi dhe tri vite më vonë u ekstradua në Tiranë ku edhe u përball me drejtësinë. Aktualisht po vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.