“Kujtesa e lëkurës”, Gripshi synon të thellojë konceptin e kujtesës së lëkurës nga perspektiva filozofike dhe shkencore

Nga Julia Vrapi
“Kujtesa e lëkurës” përmes instalacioneve, video artit, fotografisë dhe pikturës mbi kanavacë është ekspozita e radhës vetjake e artistit Oltsen Gripshi.  “Kujtesa e lëkurës” është një koncept që ndërthur filozofinë, neuroshkencat, psikologjinë dhe letërsinë, që në artin e artistit Oltsen Gripshit paraqitet si një formë e veçantë e depozitimit dhe rikthimit të përvojave të trupit në kohë-hapësirë. Lëkura është organi ynë më i madh dhe si i atillë nuk është vetëm mbrojtëse, por edhe një regjistruese ndjesive, dhimbjeve dhe prekjeve. “Kujtesa e Lëkurës” ekspozita e re e artistit Oltsen Gripshi, nën kujdesin kuratorial të Rosanna de Cicco, do të zhvillohet më 18-28 shtator 2025 në Museo del Sannio, Benevento, Itali. Artisti i njohur Gripshi synon nëpërmjet kësaj ekspozite të thellojë konceptin e kujtesës së lëkurës nga perspektiva të ndryshme filozofike dhe shkencore, për të depërtuar kësisoj në kuptimin e artit bashkëkohor. Sipas artistit Gripshi “Kujtesa e lëkurës” është një titull-nocion që mund të shqyrtohet përmes lenteve të filozofisë së trupit, fenomenologjisë dhe teorive të kujtesës së mishëruar. “Ideja qendrore është se lëkura, si kufi mes vetes dhe botës, nuk është thjesht një mbështjellëse pasive, por një organ që “mendon” dhe “kujton” përmes përvojave shqisore, ndjesive dhe traumave të shtresëzuara në kohë dhe në hapësirë”, shprehet Gripshi, që këtë shtator në vijim të aktivitetit të tij prezantohet me një ekspozitë personale në Itali.
“Kujtesa e lëkurës” në vijim të aktivitetit
Për Oltsen Gripshin ai e hulumton lëkurën përmes lentes së fenomenologjisë së artit bashkëkohor, pasi lëkura për të simbolizon kufirin ndërmjet individit dhe botës, duke shërbyer si sipërfaqe ku projektohet identiteti, kujtesa e rrugëtimit jetësor të qenies njerëzore dhe përvoja e mishëruar në vetvete në kujtesë. Sipas tij ajo perceptohet si një hapësirë dinamike dialogu ndërmjet hapësirës së brendshme dhe të jashtme të ekzistencës njerëzore, si një reflektim antropologjik i përbërë nga dy përmasa: ai ontologjik, që synon thellimin e njohjes së qenies si materie, dhe ai sociologjik, ku njeriu shfaqet si pasqyrim dhe si shembull i fenomenologjisë bashkëkohore të perceptimit, përpunimit dhe veprimit si një shumësi e ndërlikuar veprimesh psikomotore. “Lëkura, si vijë ndarëse mes brendësisë së trupit njerëzor dhe hapësirës së jashtme, mes kujtesës dhe ndjeshmërisë, luan një rol thelbësor në mënyrën se si ne e perceptojmë realitetin dhe vetveten”, shprehet ai. Ndaj artisti post-bashkëkohor shqiptar Oltsen Gripshi thellohet për të parë përtej sipërfaqes së lëkurës, ai depërton në brendësi të saj si një mënyrë për ta njohur qenien njerëzore nën indet qelizore të lëkurës. Në këtë këndvështrim ai nuk lë mënjanë as interpretimin e lëkurës përmes inteligjencës artificiale, e cila dëshiron të arrijë një formë të vetëdijes së plotë, duke iu nevojitur një lëkurë artificiale që do t’i mundësonte të përjetojë botën përtej të dhënave të ftohta digjitale. Ndaj artisti Oltsen Gripshi falë ekspozitës “Kujtesa e lëkurës” shtron disa pyetje: A mundet vërtet inteligjenca artificiale të ndiejë prekjen, dhimbjen apo ndjeshmërinë atmosferike në krahasim me trupin njerëzor? Apo do të mbetet gjithmonë një trup pa lëkurë dhe një mendje pa kujtesë fizike? Këto janë pyetje që shkojnë përtej teknologjisë dhe na detyrojnë të rimendojmë vetë natyrën e ndjeshmërisë dhe ndërgjegjes njerëzore, duke e parë atë tashmë në dritën e largpamësisë ontoantropoegocentrike të artistit Oltsen Gripshi dhe të artit të tij të ri post-bashkëkohor. “Kujtesa e Lëkurës” vjen në vazhdën e vlerësimit të artistit Gripshi me çmimin e parë të madh të edicionit të 5-të të Festivalit Ndërkombëtar të Artit Bashkëkohor “StregArti 2024”, organizuar nga Ministria e Kulturës e Italisë, Bashkia Benevento, Tv RAI, Provinca Benevento, Krahina Kampanja. Oltsen Gripshi është artist, eseist, kurator ekspozitash, historian dhe kritik arti. Ndër vite aktiviteti si artist i artit bashkëkohor ka vijuar me ekspozita vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve (2016), Ministrinë e Kulturës (2021), MuZEH Lab (2021), muzeun “Shtëpia me Gjethe” (2022), etj, apo dhe përfaqësimin e Shqipërisë në shumë ekspozita ndërkombëtare.