Alarm në Poloni, dron mbi ndërtesat qeveritare

Alarm në Poloni, dron mbi ndërtesat qeveritare

Autoritetet polake kanë dhënë alarmin mbrëmjen e sotme pasi një dron u pikas duke fluturuar mbi ndërtesa qeveritare në kryeqytetin Varshavë, përfshirë zonën e rrugës Parkowa dhe Pallatin Belweder, rezidenca e rëndësishme shtetërore. Lajmin e bëri publik kryeministri Donald Tusk përmes një postimi në rrjetin social X, duke njoftuar se droni u neutralizua nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore (SOP). Pas incidentit, policia arrestoi dy shtetas bjellorusë, të cilët dyshohen për përfshirje në këtë mision të dyshimtë. Hetimet janë në zhvillim për të zbardhur motivet dhe prapaskenat e ngjarjes. Ky rast vjen vetëm disa ditë pas shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore të Polonisë nga dronë rusë, duke shtuar edhe më shumë shqetësimet e Varshavës për sigurinë kombëtare dhe kërcënimet që vijnë nga lindja.