Rritet numri i pacientëve me sëmundje të zemrës, apeli i mjekut që mund të ndryshojë jetën tuaj

Sëmundjet e zemrës vijojnë të rrisin numrin e pacientëve në spitalet shqiptare.
Shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, dr. Altin Veshti, në një intervistë televizive, theksoi se stresi është kthyer në një nga faktorët kryesorë të rrezikut.
“Infarktet tek të rriturit janë shtuar dukshëm. Nëse në Itali mosha mesatare për këto raste është 70-80 vjeç, tek ne ajo është 50-60 vjeç. Faktorët kryesorë që ndikojnë janë stili i jetesës, ushqimi i pashëndetshëm dhe obeziteti. Një faktor që ne e nënvlerësojmë totalisht, por që unë mendoj se në Shqipëri po bëhet një nga më kryesorët, është stresi,” – u shpreh dr. Veshti.
Ai shtoi se kontrollet kardiake duhet të nisin që në lindje, me një ekzaminim të thjeshtë nga pediatri:
“Të gjithë fëmijët kur lindin duhet t’u dëgjohet të paktën një zhurmë në zemër. Këtë duhet ta bëjë pediatri, duke kontrolluar, nuk ka nevojë për teknologji të avancuar; mjafton një stetoskop dhe dy duar,” thotë ai.
Mjeku kritikoi ashpër mungesën e vëmendjes ndaj kontrolleve mjekësore, veçanërisht tek fëmijët që ushtrojnë sporte.
“Kam pasur rastin e një djali që luante futboll për pesë vjet. Kur i bëmë një EKO në Padova, profesori më tha se kishte një vrimë në zemër prej 2.5 cm. Ky fëmijë luante futboll, por nuk duhej të luante,” tha mjeku.
Dr. Veshti apeloi për rritjen e ndërgjegjësimit, duke theksuar se zemra ka nevojë për kujdes që nga dita e parë e jetës dhe gjatë gjithë jetës.