Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se, për herë të pas pandemisë, të ardhurat neto të sektorit bankar nga interesat pësuan rënie në 6-mujorin e këtij viti. Kjo ndodhi sepse shpenzimet për interesa u rritën më shumë se të ardhurat prej interesave.Duke qenë se struktura e detyrimeve të sektorit bankar dominohet nga depozitat e publikut, në pjesën më të madhe shpenzimet për interesa i takojnë pikërisht depozitave.Raporti mes shpenzimeve për interesa dhe të ardhurave nga interesat për sektorin bankar në 6-mujorin 2025 ishte afërsisht 22%, nga më pak se 20% që kishte qenë për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, të dhënat e Shoqatës së Bankave tregojnë se raporti mes shpenzimeve për interesa dhe të ardhurave nga interesat ka diferenca të konsiderueshme mes bankave të ndryshme.Banka që kishte raportin më të ulët mes shpenzimeve për interesa dhe të ardhurave nga interesat ishte Raiffeisen Bank Albania, në nivelin 9%. Kjo tregon që për çdo 100 lekë interesa të përfituara nga kreditë apo investimet në letra me vlerë, Raiffeisen shpenzon vetëm 9 lekë për interesa të depozitave apo detyrimeve të tjera.Banka me raportin e dytë më të ulët është Banka OTP Albania, në nivelin 12%.Ndërkohë, për bankat e tjera ky raport rritet ndjeshëm dhe është sipër nivelit të 20%. E treta renditet Intesa Sanpaolo Bank Albania, me 22%, e ndjekur nga BKT, me 23%.Nga ana tjetër, bankat që kanë raportin më të lartë mes shpenzimeve për interesa dhe të ardhurave nga interesat janë Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 52%, e ndjekur nga ProCredit Bank, me 39% dhe Banka e Parë e Investimeve Shqipëri (Fibank), me 35%.Një raport i ulët mes shpenzimeve për interesa dhe të ardhurave nga interesi ka më shumë gjasa të shpjegohet me norma më të ulëta interesi të paguara për depozitat, duke qenë se të ardhurat nga interesi tentojnë të jenë më të ndjeshme ndaj konkurrencës dhe ecurisë së treguesve benchmark të tregjeve.Shpenzimet për interesa mund të ndikohen edhe nga elementë specifikë, si struktura e depozitave sipas maturitet dhe ato sipas monedhës. Depozitat me afat kanë norma më të larta interesi krahasuar me llogaritë rrjedhëse ose ato pa afat. Gjithashtu, në terma mesatarë depozitat në Lekë kanë norma interesi më të larta krahasuar me depozitat në Euro.Një element tjetër mund të jetë edhe shkalla e përdorimit të instrumenteve të huamarrjes që njihen si pjesë e kapitalit rregullator, kryesisht të obligacioneve. Veçanërisht në rastin kur këto instrumente klasifikohen si borxh i varur, ato kanë norma interesi më të larta krahasuar me depozitat e të njëjtit maturitet.Shpenzimet për interesa janë edhe një lloj barometri i konkurrencës në sektorin bankar. Në përgjithësi, raporti mes shpenzimeve për interesa dhe të ardhurave nga interesat është më i lartë për bankat e mesme dhe të vogla dhe sidomos ato që kanë ambicie për të rritur pjesën e tyre të tregut. Kjo kërkon domosdoshmërisht zgjerim të bazës së depozitave për të siguruara burime për financimin e huadhënies ose të investimeve në aktive të tjera financiare. Elementi kryesor për rritjen e depozitave është ofrimi i normave më të larta të interesit.Një gjë e tillë është shfaqur qartë edhe gjatë sezonit veror, periudhë që historikisht shoqërohet me rritje të prurjeve të depozitave në sektorin bankar. Disa prej bankave kanë dalë me oferta agresive për të tërhequr sa më shumë depozita gjatë kësaj periudhe.Nga ana tjetër, bankat që kanë pjesë më të madhe tregu në depozita kanë më pak stimuj për të ofruar interesa më të larta. Pavarësisht se paguajnë më pak për depozitat, ato mund të shfrytëzojnë avantazhin që u jep madhësia, reputacioni apo edhe status quo-ja, duke qenë se jo të gjithë depozituesit udhëhiqen nga niveli i normave të interesit në zgjedhjen e bankës ku mbajnë paratë.Megjithatë, ndoshta në një masë më të vogël, raporti mes shpenzimeve për interesa dhe të ardhurave nga interesat mund të ndikohet edhe nga struktura e aktiveve. Një oreks më i madh për rrezik, nëpërmjet investimit në hua apo instrumente me rrezik më të lartë, mund të sigurojë kthime më të larta dhe të ardhura më të mëdha nga interesat.Marzhi neto nga interesat (si burimi kryesor i të ardhurave për bankat) është parakusht i rëndësishëm për ecurinë e fitimeve të një banke. Në fakt, Raiffeisen dhe OTP Albania janë ndër bankat me fitimet dhe kthimet më të larta për gjysmën e parë të këtij viti.Nga ana tjetër, një marzh i ulët neto nga interesat e bën të vështirë sigurimin e fitimeve të kënaqshme për aksionerët dhe për të mbështetur me kapital rritjen e bankës. / E.ShehuBurimi: Shoqata Shqiptare e BankaveKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Shpenzimet për interesa, cilat janë bankat më “dorështrënguara” dhe “dorëlëshuara”
