A janë linjat ajrore me kosto të ulët po aq të sigurta sa ato me çmime më të larta?

Shpesh ekziston perceptimi se linjat ajrore më të shtrenjta ofrojnë edhe fluturime më të sigurta, por ekspertët thonë se kjo nuk është e vërtetë.

Sipas një raportimi të HuffPost, rregulloret ndërkombëtare të aviacionit i bëjnë standardet e sigurisë të panegociueshme për çdo kompani ajrore, pavarësisht çmimit të biletave. George Novak, president i Shoqatës Kombëtare të Transportuesve Ajrorë dhe ish-avokat i FAA-s, thekson:
“Transportuesit me kosto të ulët janë po aq të sigurt sa konkurrentët e tyre me kosto më të lartë. Edhe linjat më të vogla duhet të ruajnë standardet minimale të sigurisë.”

Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) kryen auditime të rrepta mbi autoritetet kombëtare të aviacionit, duke siguruar që çdo kompani të respektojë rregullat bazë të mirëmbajtjes, trajnimit të pilotëve dhe kontrolleve teknike.

Si ulin kostot kompanitë buxhetore?
Linjat ajrore me kosto të ulët arrijnë çmime më të lira falë efikasitetit: shtojnë më shumë vende në avion, tarifojnë veçmas bagazhet dhe ofrojnë fluturime “pikë për pikë” duke shmangur aeroportet e mëdha e të shtrenjta. Këto masa mund të ndikojnë në orare e shërbim, por jo në siguri.

Dean Van Ess, drejtor i Fast Cover Travel Insurance, thekson se rregullatorët ndërkombëtarë kanë fuqi të plotë për të ulur çdo avion në tokë nëse haset ndonjë rrezik.

Qasja e kompanive të sigurimeve
Fakti që kur blini siguracion udhëtimi askush nuk ju pyet për linjën ajrore që keni zgjedhur, tregon se për kompanitë e sigurimeve të gjitha janë njësoj të sigurta. “Fitimet tona varen nga vlerësimi i saktë i rrezikut – nëse linjat ajrore me kosto të ulët do të ishin më të rrezikshme, kjo do të reflektohej në primet e sigurimit,” shpjegojnë ekspertët.

Pse udhëtarët dyshojnë ende?
Jessica Kameko Rooks, krijuese përmbajtjesh udhëtimesh, thotë se përvoja shpesh perceptohet si më “kaotike” për shkak të pasagjerëve me më pak eksperiencë ose shërbimit të thjeshtësuar. Por, kjo nuk ka lidhje me sigurinë teknike të avionëve.

Në përfundim, çmimi i biletës nuk është tregues i sigurisë së fluturimit. Siguria garantohet në hangarët e mirëmbajtjes dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të autoriteteve globale të aviacionit, jo në shërbimet shtesë që ofron kompania.