Kuvendi i ri nën lupën e statistikave, risi në përfaqësim dhe formimin profesional

Parlamenti i ri i Shqipërisë, i dalë nga zgjedhjet e 11 majit, nisi këtë të enjte rrugëtimin e tij në legjislaturën e 11-të.
Nga gjithsej 140 deputetë, plot 73 hyjnë për herë të parë në Kuvend. Mosha mesatare e përfaqësuesve është rreth 47 vjeç.
Tre më të rejat e këtij Parlamenti janë Marjana Koçeku, 24 vjeçe, Zegjine Çaushi, 27 vjeçe, të dyja nga PS, dhe Klodiana Çapja nga PD.
Në skajin tjetër të moshës, më të vjetrit janë Sali Berisha, 81 vjeç, Tritan Shehu, 76 vjeç, dhe Vasil Llajo, 68 vjeç.
Sa i takon eksperiencës parlamentare, Sali Berishës dhe Tritan Shehut, që janë deputetë që nga viti 1992, u bashkohen edhe Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Taulant Balla, të cilët kanë hyrë tashmë në dekadën e tretë si deputetë.
Përveç PS dhe PD, në Parlament janë të përfaqësuara edhe 12 parti të tjera, që garuan veçmas ose brenda koalicioneve.
Përfaqësimi gjinor në këtë legjislaturë është përmirësuar në favor të grave, të cilat përbëjnë 35.5% të mandateve, ndërsa burrat zbresin në kuotën 64.5%.
Sa i takon formimit profesional, Parlamenti i ri vazhdon të dominohet nga ekonomistët dhe juristët. Janë plot 31 deputetë që vijnë nga fusha e ekonomisë, financës dhe administrimit të biznesit, ndërsa 32 deputetë kanë formim juridik.
Mjekësia, inxhinieria dhe shkencat sociale janë ndër tre degët e tjera me një numër të konsiderueshëm deputetësh që do të votojnë ligjet përgjatë periudhës 2025–2029. 25 deputetë mbajnë gradën “Doktor i Shkencave”, ndërsa 5 prej tyre mbajnë titullin “Profesor Doktor”.
Në seancën e parë u krijua përshtypja se ky Parlament do të jetë i ngjashëm me të mëparshmin, por nuk duhet harruar se në procesin e negociatave me BE, organet parlamentare kanë një rëndësi parësore.