Obeziteti vijon të mbetet një fenomen shqetësues. Raporti i fundit i UNICEF tregon rritjen e shpejtë të shifrave. Mjekët nutricionistë rendisin disa nga faktorët që çojnë drejt obezitetit.
“Mendoj që problemi qëndron te mënyra se si prindërit zgjedhin t’i ushqejnë fëmijët që në muajin e parë të jetës. Shoh prindër që në mesvakt japin kos të gatshëm të supermarketit, lëngje frutash të cilat kanë kalori të fshehura dhe jo gjithmonë janë zgjedhja më e mirë që mund t’u bëhet. Çdo ditë vijnë në klinikë dhe kërkojnë ndihmë. Fëmijët shpesh dalin nga shtëpia pa mëngjes, por jo gjithmonë këto zgjedhje janë opsioni më i mirë dhe orientohen drejt gjërave të shpejta jashtë. Kur shkojnë në shtëpi konsumojnë një drekë të vonë.”, tha Matina Cobo, mjeke nutricioniste
Instruktorët e palestrave theksojnë se pesha e tepërt është e papërballueshme për moshën e fëmijëve, duke sjellë kështu probleme në shëndetin e tyre.
“Është edhe problem në shëndet fizik, pasi mosha e tyre nuk e përballon dot atë shëndet që ata marrin, dhe kështu fillojnë problemet te kyçet, dhimbje gjunjsh apo shtrembërim të shtyllës kurrizore. Raste kam pasur plot, të cilët me stërvitje dhe me rregullim të ushqyerjes janë rregulluar. Kryesisht vijnë te mosha 12-14 vjeç, atëherë fillojnë ato problemet e para, që fillon shtrembërimi i shtyllës kurrizore dhe fillojnë dhimbjet e shpinës. Të rrini sa më pak përpara tabletave apo telefonave, ushqehuni sa më mirë dhe lëvizni sa më shumë,” shprehet Armir Agovi, instruktor palestre.
Nëse fëmija vazhdon kequshqyerjen edhe në moshë më të madhe, ai rrezikon të zhvillojë obezitet të shoqëruar me probleme me zemrën dhe sëmundje të tjera kronike.
“Nëse ky individ vazhdon kequshqyerjen edhe në moshë pak më të madhe, është i prirur për një obezitet, sindromë metabolike, probleme me zemrën, që është më pas shumë e vështirë për t’u trajtuar, sepse është një individ që nga mënyra e jetesës ka krijuar më shumë rezerva dhjamore”, tha mjekja.
Ushqyerja e shëndetshme, duke shmangur produktet e përpunuara, aktiviteti fizik, më pak kohë përpara ekraneve dhe hidratimi i rregullt janë vetëm disa nga këshillat që ekspertët e shëndetit japin për parandalimin e obezitetit te fëmijët.
/vizionplus.tv
