Nga Julia Vrapi
Filmi “Burri i shtëpisë” do të shfaqet në edicionin e 17-të të “PriFest” si premierë rajonale. Filmi me regji nga Andamion Murataj, që pasqyron konfliktet e thella njerëzore dhe shoqërore shqiptare të dielën më 14 shtator do të shfaqet në kategorinë kryesore garuese të këtij festivali, që ka nisur në Prishtinë. “Filmi “Man of the house” i regjisorit Andamion Murataj, që është caktuar në “Official Selection/ in Competition” në “PriFest 2025” përfshin dhe filma të tjerë nga Ballkani. Kategoria e filmave artistik të metrazhit të gjatë nga Ballkani vjen në festival me gjashtë filma të fuqishëm, që rrëfejnë histori prekëse dhe dramatike për lirinë, dashurinë dhe identitetin.
“Me një përzierje premierash botërore, rajonale dhe vendore, kjo kategori pasqyron energjinë, diversitetin dhe shpirtin e kinemasë ballkanike”, thuhet në njoftimin më parë nga festivali. Ndërkohë që sa i takon filmit me skenar dhe regji nga Andamion Murataj, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Kosovë, organizojnë një pritje mbas filmit. “Për të promovuar kinematografinë shqiptare në rajon”, thuhet nga QKK në Shqipëri. Filmi “Man of the Mouse” ( Burri i shtëpisë) është mbështetur financiarisht edhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë . “Prishtina International Film Festival” (PriFest 2025) nisi më datë 9 shtator dhe vijon deri më datë 14 shtator. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, i njohur edhe si “PriFest”, është një festival filmi që mbahet çdo vit në Prishtinë, Kosovë, që shfaq prodhime të njohura ndërkombëtare të kinemasë në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, dhe tërheq vëmendjen në industrinë e filmit.
Ngjarjet në film
Në film Fran, një grua që ka zgjedhur të jetojë një jetë beqare si burrë, duke ndjekur traditën e Burrneshave Shqiptare. Për t’u bërë nënë për mbesën e saj jetime, Fran duhet të marrë një vendim të vështirë mes ruajtjes së statusit të saj si“burrë” ose heqjes dorë prej tij për t’u rilidhur me ndjenjat amësore që kishte shtypur prej kohësh. Kur vjen momenti për të ecur përpara, zgjedhja e vetë mbesës e detyron Franin të përballet me frikërat më të thella: të mbajë fëmijën pranë ose t’i japë krahë vajzës së re. Në muajin gusht filmi artistik me metrazh të gjatë, “Burri i shtëpisë” (Man of the House) me regji të Andamion Murataj dhe me produksion të shtëpisë kinematografike “Lissus Media” shënoi premierën botërore në programin e konkurrimit të Festivalit të Filmit në Sarajevë 2025. Festivali i Filmit në Sarajevë cilësohet si evenimenti më i madh i filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë. Filmi “Man of the House” me një rrëfim të thellë emocional dhe shoqëror është një koproduksion i gjashtë shteteve- Shqipërisë, Kosovës, Italisë, Austrisë, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Filmi “Burri i shtëpisë” pas festivalit të Sarajevës do të shfaqet në kategorinë kryesore garuese të “PriFest 2025”
