Tritan Shehu i “del nga rreshti” Berishës, merr pjesë në votimin për Niko Peleshin: Ishte refleks…

Në procesin e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Niko Peleshi, deputeti i PD Tritan Shehu ishte i vetmi që prishi rregullin e grupit parlamentar. Ai mori pjesë në votim duke futur në kutinë e votimit fletën e votimit dhe jo pankartat sic bënë deputetët e tjerë të opozitës.
Në fund të votimit, nga 87 deputetë që morën pjesë 3 prej tyre votuan kundër.
Bashkë me votën kundër të deputetit Tritan Shehu, ishin dhe vota e Ana Dajkos nga partia “Shqipëria Bëhet” dhe vota e deputetit Redi Muçi nga “Lëvizja Bashkë”.
Nga opozita, këtij rregulli nuk iu bashkua deputetja Mesila Doda, e cili ndonëse ishte e pranishme në Kuvend, nuk iu drejtua kutisë – duke mos iu bashkuar sjelljes protestuese të demokratëve.
Gazetarja e Top Channel Elda Menga e pyeti deputetin demokrat Tritan Shehu, përse theu urdhrin e grupit dhe mori pjesë në votimin për kreun e ri të Kuvendit.
“Ishte thjesht refleksi i votimit. Asgjë tjetër“, u përgjigj per Top Channel zoti Shehu.
Gazetarja e Top Channel e pyeti zotin Shehu, nëse kishte votuar pro apo kundër Niko Peleshit.
“Pa dyshim kundër“, konfirmoi Shehu.