Flet Altin Sukaj, menaxher i Hemingway Fan Club Albania Kultura e festivaleve në Shqipëri po fiton gjithnjë e më shumë terren, duke tërhequr si publik vendas ashtu edhe ndërkombëtar.Në një intervistë për “Monitor”, Altin Sukaj, menaxher i Hemingway Fan Club Albania, nënvizoi se interesimi për muzikën elektronike është rritur ndjeshëm, por se edhe festivalet me rryma jo komerciale po gjejnë një audiencë të qëndrueshme.“Në të njëjtën kohë, festivale me rryma jo elektronike kontribuojnë për një publik më të përzgjedhur me një ecuri të vazhdueshme”, – tha Sukaj. Cili është profili i audiencës që ndjek festivalin tuaj? A ka ndryshuar me kalimin e viteve?Hemingway Jazz Fest është një festë gjithëpërfshirëse. Në këto 12 vite ka arritur të bashkojë një komunitet shumë solid që jo vetëm i ka rezistuar kohës, por ka sjellë edhe një audiencë ndërkombëtare.Kjo ndodhi edhe për faktin se qasja e qytetarëve të huaj në Shqipëri është rritur ndjeshëm.Në këtë festë të muzikës marrin pjesë mosha të ndryshme, gjë që e bën këtë festë kaq familjare e të dashur për të gjithë.Nuk mund të mos e themi që jemi festivali i parë në Shqipëri, lindur në një lagje të thjeshtë të Tiranës, me dëshirën e vetme për të bërë xhaz dhe për të kërcyer hareshëm.Kjo festë e përvitshme, nga viti në vit, u rrit dhe jemi të lumtur që ky komunitet është bërë kaq i madh dhe kërkues ndaj nesh. Sa sfiduese është të organizoni një festival xhazi në Shqipëri? Me çfarë vështirësish përballeni zakonisht? Organizimi është patjetër sfidues, duke pasur parasysh që është një event që tërheq një publik me njohuri të lartë të rrymave muzikore.Ajo që ne prezantojmë në festival nuk është thjesht standard xhaz, rrymë të cilën kush na ndjek nga afër në Hemingway Bar e gjen gjatë netëve të vona.Por janë rryma shumë festive, të kontaminuara me xhaz, për ta bërë të mundur që të jetë një festë sa më afër të gjithëve, në netët e nxehta të korrikut.Vështirësitë sigurisht janë të pranishme, veçanërisht në pjesën organizative, logjistike dhe teknike të kësaj feste. Por ndër vite kemi fituar miq, shokë dhe dashamirës të artit, që na bëjnë të ndihemi një skuadër e konsoliduar tashmë në kalimin e problematikave. Si ndikojnë kostot (artistët, ambienti, logjistika) në formatin që zgjidhni çdo vit?Ne jemi në vitin e 12-të të organizimit të kësaj feste, kushtuar ditëlindjes së shkrimtarit Ernest Hemingway. Ndër të tjera, organizojmë edhe eventin tjetër “Swing Marathon” ose ndryshe “Andrra n’Tren”, por edhe evente të tjera më të vogla gjatë viteve.Sigurisht që përballemi me kosto të konsiderueshme për grupe dhe emra të njohur artistësh. Kjo na detyron të rivlerësojmë kostot për çdo event.Edhe pse çdo vit kemi arritur të sjellim artistë të niveleve botërore, përpiqemi të mbajmë një kosto sa më të ulët të biletës për komunitetin tonë, pikërisht për të ruajtur misionin fillestar: të bëjmë bashkë njerëz të mirë dhe kultura të ndryshme.Gjejmë rastin të falënderojmë partnerët tanë besnikë në vite, që besojnë në misionin tonë dhe, ndër vite, të gjithë bashkë e shohim me optimizëm vazhdimësinë e kësaj feste xhenuine. Si e shihni kulturën e festivaleve në Shqipëri? Ka audiencë të qëndrueshme për ngjarje të tilla?Mendojmë se vitet e fundit ka një interes të veçantë për muzikën elektronike, që është shumë e pranueshme në thelb, sepse mbledh rreth vetes si trend shumë të rinj nga vendi dhe bota.E shohim shumë pozitive, duke pasur parasysh se po ecet paralelisht me tregun e festivaleve kudo në botë.Pra, besojmë se ka qëndrueshmëri dhe se do të shkojë vetëm përpara.Në të njëjtën kohë, festivale me rryma jo elektronike, pra aspak komerciale, kontribuojnë për një publik më të përzgjedhur me një ecuri të vazhdueshme, sepse tashmë publiku shqiptar, por edhe ai i huaj i pranishëm në Shqipëri, di t’i mirëpresë me shumë kënaqësi, veçanërisht kur prezantohen artistë me një histori dhe një background të lartë. Cilat janë planet tuaja për të ardhmen e festivalit? Do të ruani këtë frymë intime apo mendoni ta zgjeroni më tej?Sa i përket festivalit tonë, nuk mund të mos përmendim komunitetin tonë të Hemingway Bar, që është hallka më e rëndësishme e këtij rrugëtimi 12-vjeçar.Është ky komunitet që na mbështet me shumë dashuri, që na ka bërë ta kthejmë këtë festë në një mision tonin nga viti në vit.Ky komunitet na mbështet me sinqeritet dhe dashuri të pakrahasueshme, duke na vënë përpara një sfidë të bukur në përzgjedhjen e artistëve në çdo edicion.Artistë këta, që sjellin me vete jo vetëm muzikën e mirë, por që me artin e tyre japin mesazhe të jashtëzakonshme mbi realitetin dhe problemet kudo në botë. A do të vazhdojmë të ruajmë këtë frymë intime?Intimiteti, detajet dhe harmonia kërkojnë pasion, dhe vetëm pasion.Jemi të hapur për ta përçuar energjinë e mirë të këtij festivali sa më shumë për publikun, por pa dalë aspak nga vetja dhe nga misioni ynë fillestar, që është: të mbetet një festë e muzikës dhe e sinqeritetit! Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
“Festivale në Shqipëri, një audiencë në rritje dhe gjithnjë më e qëndrueshme”
