“Kapje e institucioneve nga maxhoranca”, Malltezi denoncon: Peleshi, shërbëtor i Ramës dhe ortak në vjedhjet e Zotos

Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, ka reaguar pas zgjedhjes së Niko Peleshit në krye të Kuvendit.
Me një postim në Facebook, Malltezi shkruan se, drejtuesi i komisionin të zgjedhjes së tij e kryesoi deputeti socialist Fadil Nasufi, duke i lidhur të dy me të njëjtën aferë korruptive.‘Çfarë kanë të përbashkët Fadil Nasufi dhe Niko Peleshi?
Të dy i dhanë qindra mijëra euro Klodian Zotos për matësa uji dixhital inekzistentë! Por edhe kjo vjedhje është intelektuale për shërbëtorin e Edi Ramës’, shkruan Malltezi në një postim në Facebook.
Afera e matësve të ujit lidhet me kompanitë e Klodian Zotos, një nga të akuzuarit kryesorë në aferën skandaloze të korrupsionit me inceneratorët.
Sipas opozitës, kontratat për ‘matësa dixhitalë’ janë firmosur nga bashkitë dhe institucionet e drejtuara nga zyrtarë të lartë socialistë, por pajisjet ose nuk janë dorëzuar, ose nuk funksionojnë.
Tre qytetet kryesore që nënshkruan kontrata me Zoton për këto matësa ishin, Fieri, Berati dhe Korça.
Malltezi thotë se zgjedhja e Peleshit në krye të Kuvendit konfirmon kapjen e institucioneve nga maxhoranca dhe mbulimin e aferave të rënda korruptive.