Kur gjatë mandatit të parë të Trump-it ky i fundit do të zhvendoste ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem, pra si një akt i shpalljes së Jerusalemit të tre besimeve si kryeqytet izraelit, qeverisja shqiptare, pra aktualja e Edi Ramës, do e poziciononte veten me qëndrimin europian. Që do të thoshte se nuk ishte pro kësaj lëvizjeje amerikane.
Por që nga 7 tetori gjërat kanë ndryshuar; Rama ka marrë një kahje të dukshme pro-izraelite, duke zbehur pak e nga pak dhe qëndrimin e padiskutueshëm të zgjidhjes me dy shtete.
Kjo u pa në një votim të fundit në OKB, ku Shqipëria abstenoi.
Më konkretisht, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që rikthen në qendër të debatit ndërkombëtar zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, vetëm një ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se “nuk do të ketë kurrë një shtet palestinez”.
E njohur si “Deklarata e Nju Jorkut”, dokumenti 7-faqësh u miratua të premten me 142 vota pro, dhjetë kundër, përfshirë Izraelin dhe aleatin e ngushtë SHBA, si dhe 12 abstenime. Mes vendeve që abstenuan është edhe Shqipëria.
E paraqitur nga Franca dhe Arabia Saudite, rezoluta bën thirrje për “veprime të përbashkëta për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të arritur një zgjidhje të drejtë, paqësore dhe të qëndrueshme të konfliktit izraelito-palestinez, bazuar në zbatimin efektiv të zgjidhjes me dy shtete”.
Dokumenti i bën thirrje grupit palestinez Hamas që të “lirojë të gjithë pengjet” dhe të “dorëzojë kontrollin e Gazës dhe armët tek Autoriteti Palestinez, në funksion të themelimit të një shteti sovran dhe të pavarur palestinez”.
Edhe pse zgjidhjen me dy shtete Rama do e shpaloste dhe gjatë një vizite në Izrael, duket se ka rënë në një lloj vasaliteti ndaj shtetit gjenocidal sionist që po e lëkund në qëndrime. /tesheshi.com/
