Filmi “Emili” këtë mbrëmje shfaqet si premierë rajonale në “Prishtina International Film Festival”, si pjesë e konkurrimit kryesor të festivalit. “PriFest 2025” nisi më datë 9 shtator në Prishtinë dhe është një event i rëndësishëm kinematografik, që sjell filma nga vende të ndryshme të botës. Me skenar dhe regji nga Ajola Daja, filmi do të shfaqet këtë të premte ora 19:30, te Kino Armata. Në role janë aktorët Arta Dobroshi, Luiza Xhuvani, Lulzim Zeqja dhe Noel Miraka, ku pjesë e filmit është dhe aktori Margent Caushi. Filmi përshkruan historinë e Emilisë, një grua e re e cila lufton për të gjetur balancën dhe forcën për të përballuar sfida të mëdha në jetën e saj personale dhe profesionale.
Filmi është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Filmi “Emili” për Ajola Dajën ka qenë shumë i rëndësishëm për të si regjisore. Pas filmave të shkurtër me këtë projekt ajo do ta provonte veten edhe si regjisore në një film të gjatë. Filmi është shfaqur dhe më parë në kinematë në Tiranë, por regjisorja Ajola Daja ka treguar më herët se “Emili” nisi nga një ngacmim, nga një histori dhune reale, të cilat nuk është e vështirë ti gjesh në realitetin tonë. Ajo ka treguar se ka qenë një ngjarje që e ka ndjerë të nevojshme ta tregojë në mënyrën e saj. Festivali synon të promovojë kinematografinë dhe të krijojë një platformë për bashkëpunime dhe shkëmbim kulturor, ku gjatë tij veç shfaqjes së filmave zhvillohen dhe aktivitete të tjera. “PriFest 2025” vijon deri më datë 14 shtator.
Filmi “Emili” shfaqet premierë rajonale në “Prishtina International Film Festival”
