“12 burra të zemëruar” në skenë, drama premiere nga sot në mbrëmje në Teatrin Kombëtar

Nga Tea Sadiku 
“12 Burra të Zemëruar” është premiera që do të hapë perdet e skenës së Teatrit Kombëtar nga sonte në mbrëmje. Një vepër ku heshtja flet më shumë se zhurma, e ku drama shfaqet si një reflektim i fortë mbi drejtësinë, përgjegjësinë qytetare dhe betejën e brendshme mes paragjykimit dhe së vërtetës.
Dymbëdhjetë burra, dymbëdhjetë karrige, një dhomë e izoluar dhe një vendim që mund të përcaktojë fatin e një 16-vjeçari të akuzuar për vrasjen e babait të tij.

Ajo që në fillim duket si një votë e qartë për dënim, shndërrohet hap pas hapi në një duel të fortë moral e logjik, ku secili personazh nxjerr në pah konfliktet e veta të brendshme.
“Këtu nuk luftohet për të gjetur nëse është ose jo fajtori një fëmijë. Nuk është ky problemi kryesor. Të gjejmë një kriminel. Po të ishte kushti do ishte thjesht një dramë policore e thjeshtë, pa interes. Problemi është shumë më i rëndë dhe shumë më i nënvizuar, t’i thërrasim arsyes njerëzore”, thotë aktori Viktor Zhusti.
Aktorët sjellin në skenë një larmi karakteresh komplekse me nuanca psikologjike të ndryshme.
“Karakteri që unë kam i thotë treshit, atij rebelit të pandreqshëm që duam argument. Në këtë sens vepra ka shumë mesazhe sa i përket qasjes që ne duhet të kemi ndaj njëri-tjetrit”, thotë aktori Alfred Trebicka.
“Secili nga ata ka një dramë, ka një gjë për të thënë kjo e bën që vepra të jetë shumë e mirë dhe një histori që e mban publikun mbërthyer”, thotë aktori Besmir Bitraku.
Kjo shfaqje rikthen në skenë pas shumë vitesh edhe aktorin Niko Kanxheri.
“Kur mu ofrua ky rol isha i trembuir si një fëmijë sepse u bënë vite që nuk luaj në skenë, frikë nëse do të jem në gjendje apo jo. Ky rol ishte roli i një njeriu pa këmbë por që koka i funskionon mirë, dhe thashë okej ky rol duhet mbrojtur”, thotë Niko Kanxheri.
E bazuar në dramën klasike të Reginald Rose, regjisori Albert Minga ka zgjedhur të ruajë strukturën origjinale të veprës, por duke i dhënë një frymë të re, ku tingujt, ndriçimi dhe ritmi i heshtjeve krijojnë një tension të padukshëm.
“U kam bërë goxha ndërhyrje në trajtimin regjisorial, nëse kam marr këtë shfaqje e kam marrë për mesazhet që sjell autori por që ngjisin në mjedisin shqiptar”, thotë regjisori Minga.
Me një reflektim të thellë dhe katarsis që do të përcillet te secili spektator, kjo shfaqje do të rrugëtojë në Teatrin Kombëtar deri më datë 27 prill./vizionplus.tv