Igli Hasani nuk do të jetë më drejtues i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Në një reagim në rrjetin social facebook, Hasani falënderon kryeministrin Edi Rama që i besoi për 2 vite drejtimin e marrëdhënieve diplomatike ndërsa i uron suksese zëvëndësueses së tij, Elisa Spiropali.
Tashmë Igli Hasani do të vijojë të drejtojë një komision në parlament për çështjet që kanë të bëjnë me Europën dhe Punët e Jashtme.
“Për një diplomat, është një nder i jashtëzakonshëm, por edhe një përgjegjësi e madhe të drejtojë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Për dy vitet e fundit, pata këtë privilegj, duke u përpjekur çdo ditë ta shoh punën me sytë e kolegëve dhe të mbështes, me përulësi, shërbimin e rëndësishëm të përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë dhe interesave të saj në botë.
E kam kryer këtë detyrë me bindjen se rruga e vetme e qëndrueshme është forcimi i institucioneve dhe integriteti, dhe se diplomacia efikase i ka rrënjët në bashkëpunim, përmbajtje dhe besueshmëri.
Faleminderit Kryeministrit Rama për besimin e dhënë dhe urime Znj. Spiropali për këtë përgjegjësi. Mirënjohës për kolegët dhe partnerët, brenda dhe jashtë vendit, që ndanë këtë rrugëtim”, shkruan Igli Hasani.
Nuk do të jetë më ministër, Hasani: Faleminderit për besimin! Urime Spiropalit për këtë përgjegjësi
