Mbyll rrugëtimin në krye të MEPJ, reagon ministri Hasani: Nder dhe përgjegjësi të drejtoja Diplomacinë Shqiptare

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e sotme të Asamblesë së Partis Socialiste, zyrtarizoi emrat e kanibetit qeverisës së mandatit të katërt, ku pati konfirmime por edhe largime.
Mes atyre që do të lënë detyrën është edhe kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, i cili nga nesër do të jetë në krye të Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa në vend të tij në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme do të emërohet Elisa Spiropali, e cila fillimisht do të marrë votëbesimin në parlament, e më pas do të dekretohet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ministri Hasani falenderon kryeministrin Rama për mundësinë që i dha që në këto dy vite të ishte në krye të institucionit të Diplomacisë Shqiptare, një nga më të rëndësishmit sa i përket kontributit për integrimin e Shqipërisë drejt familjes së madhe Europiane.

Ministri Hasani thekson se përgjatë këtyre dy viteve ka shërbyer me nder dhe përgjegjësi në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ndërsa uron pasardhësen e tij Elisa Spiropali për përgjegjësinë që do të marrë.
Postimi i Hasanit:
Për një diplomat, është një nder i jashtëzakonshëm, por edhe një përgjegjësi e madhe të drejtojë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Për dy vitet e fundit, pata këtë privilegj, duke u përpjekur çdo ditë ta shoh punën me sytë e kolegëve dhe të mbështes, me përulësi, shërbimin e rëndësishëm të përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë dhe interesave të saj në botë.
E kam kryer këtë detyrë me bindjen se rruga e vetme e qëndrueshme është forcimi i institucioneve dhe integriteti, dhe se diplomacia efikase i ka rrënjët në bashkëpunim, përmbajtje dhe besueshmëri.
Faleminderit Kryeministrit Rama për besimin e dhënë dhe urime Znj. Spiropali për këtë përgjegjësi. Mirënjohës për kolegët dhe partnerët, brenda dhe jashtë vendit, që ndanë këtë rrugëtim.