Filmi fitues i “Luanit të Artë” në festivalin e Venecias 2025 hap edicionin e 23-të të “TIFF”

“Tirana International Film Festival”
Nga Julia Vrapi
Filmi “Father Mother Sister Brother” i regjisorit Jim Jarmusch, që fitoi “Luanin e Artë” në  Festivalin e 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia në Itali hap këtë shtator edicionin e 23-të të “Tirana International Film Festival”. “TIFF 2025” këtë vit do të zhvillohet nga data 21 deri më 27 shtator dhe sjell në ditët e tij prodhime kinematografike të ndryshme, ku pjesë e festivalit janë dhe disa aktivitete. Filmi që do të hapë edicionin e 23-të të “Tirana International Film Festival” (TIFF)  do të shfaqet edhe mbrëmjen e datës 23 shtator në sallën e kinemasë Millennium me bileta për publikun. Filmi i regjisorit Jarmuschit është ndërtuar mbi tre histori, që eksplorojnë marrëdhëniet midis prindërve dhe fëmijëve.
Mes protagonistëve në rolet e filmit janë emra të njohur si Cate Blanchett, Adam Driver, Tom Waits dhe Charlotte Rampling. Festivali i filmit në Venecia ku “Luani i Artë” shkoi për filmin “Father Mother Sister Brother” është dhe një ndër eventet më të rëndësishmit kulturor që mbahet çdo vit. Festivali këtë vit shënoi edicionin e 82-të nisi më 27 gusht dhe u mbyll më datë 6 shtator 2025, duke e kthyer Venecian në qendër të vëmendjes së industrisë së filmit për disa ditë. Në këtë edicion në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia ishin 21 filma që konkurruan për çmimin e madh “Luani i Artë” për filmin më të mirë, ndërsa shumë të tjerë u shfaqën jashtë konkurrimit gjatë ditëve të tij. Për atë çfarë prezanton me filmat çdo vit gjatë zhvillimit të tij Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia është  në qendër të vëmendjes jo vetëm të artistëve të kinemasë, por edhe të kritikës e publikut.
“TIFF” si pjesë e aktiviteteve artistike
“Tirana International Film Festival 2025” (TIFF) që do të zhvillohet këtë shtator  është dhe një nga eventet kulturore më të rëndësishme në vend, ku përgjatë ditëve të tij emra të njohur të kinemasë, artistë të ndryshëm dhe më gjerë bëhen pjesë e aktiviteteve që zhvillohen. Drejtor i “TIFF” është Agron Domi, por ndërsa “Tirana International Film Festival” në edicionin e 23-të nis më 21 shtator filmi më i mirë i shkurtër në festival kualifikohet për çmimet “Oscars 2025”, si dhe “European Film Awards 2024”.
Filmat studentorë të përzgjedhur zyrtarisht në “Tirana International Film Festival” kanë të drejtë të konkurrojnë për Çmimet Student Academy (SAA). Një vit më parë në “TIFF 2024” programi kombinoi mbi 200 premiera të filmave në konkurrim në të gjitha kategoritë dhe zhanret. Të gjithë filmat e përzgjedhur ishin prodhuar në vitin 2023-2024. Rreth 3700 filma dhe 67 skenarë aplikuan për në “TIFF 2024” nga 115 vende të botës. Pjesë e festivalit ishte dhe SCREENPLAY ContesTIFF, që synon të vlerësojë nga prodhuesit dhe distributorët skenarin më të mirë dhe të mundshëm për t’u prodhuar prej tyre.
“Tirana International Film Festival” është tani pjesë edhe e Rrjetit të Festivaleve në Rajonin e Adriatikut, që është programi i përbashkët i tre festivaleve themelues- Festivali i Filmit në Sarajevë (BiH), Festivali i Filmit Auteur (Serbi) dhe Festivali i Filmit në Zagreb (Kroaci). “Tirana International Film Festival TIFF 2025-edicioni 23” këtë vit ka dhe mbështetjen financiare nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Por ashtu si edhe në edicionet e mëparshme edhe në “TIFF 2025”,filmat pjesëmarrës në garë janë ndarë sipas kategorive, ku juritë e zgjedhura do të vlerësojnë më të mirët.