Asgjë e re nga fronti qeveritar/ Lorenc Vangjeli: S’do ketë surpriza, ministrat do jenë miniaturë e Ramës

Këtë javë pritet që të formohet qeveria e re dhe ndryshimet që do të ndodhin në kabinetin qeveritar. Lorenc Vangjeli deklaroi se s’do të ketë shumë surpriza për emra të rinj. Sipas Vangjelit, vetëm në 2-3 emra Rama mund të ketë dilema, pjesa tjetër pastaj s’ka asnjë lajm, duke theksuar se do të jenë miniaturë e kryeministrit.“Lajmi që presin të gjithë është që s’do të ketë asnjë lajmë Surpriza më e madhe është se s’do të ketë asnjë surprizë”, e nisi Vangjeli, duke shtuar më tej: “Emrat e përveçëm do të bien përpara asaj që do të jetë identikiti i njerëzve të rinj të qeverisë. Nuk do të ndryshojnë nga të vjetrit. Do të jenë më të rinj në moshë dhe shumë më pak të shqetësuar për atë që do të sjellë e nesërmja. Vetëm në 2-3 emra Rama mund të ketë dilema, pjesa tjetër pastaj s’ka asnjë lajm.Ka shumë gjasa, por edhe këtu jemi në kuadrin e spekulimit, pasi Rama ka dashur vetë ta lejojë një gjë të tillë, se qeveria do të dalë nga një seleksionim i gjatë kandidaturash, njerëzish. Duket sikur është trajneri i një kombëtareje si e Brazilit, që ke me dhjetëra mijëra kandidatura dhe nuk di se kë të marrësh. Edhe talenti në qeverisje për Ramën nuk është se është ndonjë bonus. Në fund ai do të zgjedhë ata që janë sipas shijes së tij dhe do të jenë secili në vetvete një lloj miniature e Ramës”.