Balfin finalizon shitjen e “Fashion Group Albania” për 7.6 milionë euro

Grupi Balfin ka finalizuar këtë javë shitjen e kompanisë së tregtimit të veshjeve, Fashion Group Albania (FGA), te kompania nga Kosova, ALBI Holding.Sipas kontratës së nënshkruar mes palëve, vlera e transaksionit të shitblerjes ishte rreth 7.6 milionë euro. Në pjesën më të madhe, operacioni është financuar nga dy marrëveshje kredie me vlerë totale afërsisht 6.4 milionë euro, që kompania blerëse ka marrë nga banka e grupit Balfin, Tirana Bank.FGA ka për objekt kryesor aktiviteti importin dhe tregtimin e veshjeve dhe këpucëve, nëpërmjet rrjetit të saj të dyqaneve të markave ndërkombëtare Aldo, Carpisa, Cortefiel, Geox, Mango, Okaidi, Parfois, Prenatal, Springfield, Woman Secrets, brenda territorit të Shqipërisë.Shoqëria blerëse Albi Holding  është pjesë e Albi Group, që zotëron në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut rrjetin e dyqaneve të vmodës të markave ndërkombëtare si Celio, Chaussea, Okaidi, Mango, Springfield, Ozdilek, Geox, Gant, Timberland, Hugo Boss, Sportina Armani Exchange, Tom Tailor, XYZ, UGG, Plein Sport, Orsay, Dan John, Parfois, Boggi.Albi Holding zotërohet prej biznesmenëve nga Kosova Tahir Humolli, Sutki Humolli, Nexhat Humolli, Nehat Humolli dhe Betim Humolli.Deri më tani, Albi Group ka qenë e fokusuar në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo blerje do t’i mundësojë hyrjen në tregun shqiptar me një infrastrukturë të gatshme dhe të konsoliduar.Sipas pasqyrave më të fundit financiare, në vitin 2024 FGA raportoi xhiro prej afërsisht 1.2 miliardë lekësh dhe një fitim para tatimit në vlerën 145 milionë lekëve.Për grupin Balfin, shitja e FGA është e dyta brenda këtij viti në portofolin e saj të retail. Në fund të muajit korrik, Balfin finalizoi edhe shitjen e Spar Albania tek kompania nga Kosova, Viva Fresh, për 36.4 milionë euro.Këto dy transaksione janë pjesë e një ristrukturimi që Balfin po bën në portofolin e saj të bizneseve të tregtisë me pakicë. Balfin ka arritur marrëveshjen për të shtrirë në Rajonin e Ballkanit Perëndimor rrjetin Flying Tiger Copenhagen, kompani daneze e shitjeve me pakicë, me një portofol produktesh të ngjashme me atë që tregtohen në rrjetin Jumbo.Në një operacion të ngjashëm, Balfin ka marrë edhe të drejtat eksluzive të markës franceze të veshjeve Kiabi, nëpërmjet kompanisë së saj të re, Western Balkans Fashion Group, të kontrolluar në ortakëri me dy nga menaxherët e grupit, Juljan Mane dhe Arsim Papraniku.Sipas drejtuesve të Balfin, operacionet e mësipërme janë të orientuara drejt ndërkombëtarizimit të bizneseve të shitjeve me pakicë të grupit.Balfin ngelet e pranishme në tregun e pajisjeve elektrike dhe elektroshtëpiake me kompaninë e saj më të hershme, Neptun, si edhe në tregun e shitjes së lodrave dhe pajisjeve shtëpiake dhe industriale, nëpërmjet Kid Zone (Jumbo). / E.ShehuKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.