Paga mesatare në vend arriti në gati 84 mijë lekë në tremujorin e dytë të vitit. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se ajo është rritur me 1 mijë 696 lekë krahasuar me tremujorin e parë dhe me 8 mijë e 792 lekë me një vit më parë.
Kontributin kryesor në këtë rritje rezulton ta ketë dhënë administrata publike. Rritja më e madhe e pagës, ishte në profesionin e Forcave të armatosura dhe Specialistë me arsim të lartë, me një rritje përkatësisht prej 23.2 për qind dhe 13.6 për qind.
“Ajo që po ndodh është kjo: Nga njëra anë ne kemi qeverinë që bën shumë zhurmë për rritjen e pagave dhe pjesën më të madhe të shoqërisë që ndjen pak efekte. Rritja e pagës mesatare në këto nivele është hiçgjë. Do ta përmblidhja si “shumë zhurmë për hiçgjë”, shprehet Klajdi Bregu.
Zhurma më e madhe se të hollat po hyjnë në xhepa pohohet edhe nga Alberta, një re e punësuar që shpreson në pasjen e një page 900 euro.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se veçse anemike, rritja e pagës mesatare po shoqërohet nga një thellim i hendekut mes profesioneve të ndryshme. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se gati gjysma e të punësuarve në vend kanë paga nga 40 mijë e deri në 95 mijë lekë bruto. Duke i hequr sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësor, ato që individ merr nuk e kalojnë vlerën e 76 mijë lekëve.
“Rritja ka ardhur kryesisht si pasojë e politikës së ndërmarrë nga qeveria për të rritur pagat me qëllim frenimin e emigrimit. Gjithashtu sot tregu i punës po vuaj për punonjës ndaj rriten pagat. Po këto hendeqe veç shtetit dhe privatit nuk i bëjnë mirë tregut”, shprehet Emian Muçaj.
Profesionet me pagë mesatare më të lartë se mesatarja kombëtare në tremujorin e dytë të vitit ishin menaxherë, ligjvënës, drejtorë ekzekutivë dhe specialistë me arsim të lartë.
Paga mesatare bruto shkon në 84 mijë lekë! Bankierët dhe IT, profesionet më të paguara këtë vit
