Kroacia bllokon 8 ton domate shqiptare me pesticide/ Tre të arrestuar në Berat

Bllokimi nga Kroacia i rreth 8 ton domate të eksportuara nga Shqipëria, pasi analizat laboratorike zbuluan nivele të larta të preparatit shumë mbi normat e lejuara bëri që prokuroria e Beratit të nisë menjëherë hetimet.
Me urdhër të saj përfunduan në pranga tre persona, Mariglen Qorri, pronar i kompanisë eksportuese, si dhe dy inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Berat, Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani. Ky rast ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë ushqimore dhe mekanizmat e kontrollit të produkteve bujqësore të destinuara për eksport.
Sipas prokurorisë, lidhur me sasinë e domateve, ka rezultuar se pronari i kompanisë, Mariglen Qorri ka prerë një faturë blerje fiktive nga një fermer dhe e ka përdorur për praktikat doganore dhe raportin e gjurmueshmërisë të mbajtur nga AKU Berat, duke u munduar të shmangë përgjegjësinë e tij ligjore për produktin që ka prodhuar dhe tregtuar.
Qorri është nën akuzë për veprat penale ‘Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve’, ‘Mashtrimi me produktet ushqimore’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’.
Ndërsa dy inspektorët e AKU-së akuzohen se nga kontrolli që kanë kryer në kompani më datë 29 gusht, kanë marrë të mireqenë si të rregullt faturën fiktive të prerë nga administrator Qorri e të pa firmosur nga fermeri apo shitësi duke mbajtur mbi bazën e tij raportin e gjurmshmërisë së produktit dhe duke tjetërsuar faktet në lidhje me origjinën e produktit të konstatuar me probleme.
Ndërkohë, prokuroria e Beratit mori monstra të tjera domatesh, specash dhe kastravecash nga ky subjekt tregëtar për të bërë analizat e tyre, produkte këto të dyshuara të kontaminuara.