Konferenca rajonale për kujdesin ndaj fëmijëve, Rama: BE vendos të drejtat e fëmijëve në fokus të jetës së përditshme. Gonzato: Tu garantohet arsim cilësor dhe shëndetësi falas

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën Rajonale “Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Evropian”. Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe ambasadori i BE-së në vendin tonë Silvio Gonzato.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij tha se BE synon që përmes garancisë evropiane të sigurojë të drejtat e fëmijëve dhe t’i vendosë ato në fokusin e jetës së vet të përditshme. BE ka përcaktuar një financim të veçantë për vendet anëtarë që i ndihmon shtetet të zbatojnë masa konkrete për të reduktuar varfërinë e fëmijëve.
Rama: Përmes garancisë evropiane për fëmijët, BE synon që të drejtat e fëmijëve t’i sigurojë dhe t’i vendosë në fokusin e jetës së vet të përditshme  dhe përmes këtij programi të shumëfishojë të gjitha rrugët, mundësitë që çdo fëmije t’i jepet një shans dhe për çdo fëmijë të ketë një perspektivë. Bashkimi Evropian ka përcaktuar një financim të veçantë që i ndihmon vendet anëtare për të ecur në shinat e paracaktuara përmes dokumentit të garancisë evropiane dhe për të zbatuar masa konkrete në reduktimin e varfërisë së fëmijëve dhe nga ana tjetër në ngushtimin e hendekut që është tejet shqetësues në të gjithë hapësirën evropiane.

Financimi i posaçëm lidhet me përfshirjen aktive të qeverive kombëtare, lidhet me përfshirjen aktive dhe ndërtimin e partneriteteve me organizatat jo qeveritare dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore e shëndetësore si dhe me porgrame mbështetëse për prindërit. Ne kemi bërë një progres të dukshëm dhe synojmë që të përfitojmë nga financimi i BE-së. Një nga pikat që ne synojmë është adresimi i situatës së 16 mijë fëmijëve me aftësi të veçanta, të cilët janë fitues të skemave të reja të mbështetjes, por të cilët besoj në këtë fazë dhe në kushet kur mundësitë tona ekonomike dhe financiare rriten, meritojnë një rritje të mbështetjes nga ana jonë.
Ambasadori Silvio Gonzato vuri theksin te të drejtat që duhet tu garantohen fëmijëve, si arsimimi dhe shëndeti falas.
Teksa iu referua negociatave, ambasadori  tha se të drejtat e fëmijëve janë pjesë e grup kapitullit themelor, ndërsa legjislacioni për arsimin dhe politikën sociale mbulohet nga grup kapitullit 3, që Gonzato tha “se shpresojmë të hapet së shpejti”.
Gonzato: Çdo fëmijë të ketë mundësi për të drejta bazë si shëndeti dhe arsimi. Të gjithë fëmijët, veçanërisht ata që përjetojnë përjashtimin social për shkak të varfërisë apo formave të tjera të disavantazheve duhet të kenë shanse të barabarta. Një nga pyetjet që duhet të bëjmë është: A po bëjmë aq sa duhet për të rinjtë? Kjo është e rëndësishme për rajonin, ku ka ende largim të trurit. Në nivel të BE ne do të donim që ti përgjigjeshim kësaj thirrje. Këtë e bëmë me anë të shtyllës evropiane të të drejtave sociale.
Në planin e veprimit ne kemi objektivin për një Evropë të fortë sociale. Një nga objektivat që duhet të arrihet deri në 2030 është ulja e numrit të personave që janë në rrezik varfëria apo nga përjashtimi social në të paktën 15 mln dhe shifra për fëmijët është 5 mln. Të paktën 15 mln fëmijë nuk duhet të jenë më në varfëri. Ne e shikojmë garanci për fëmijët si një program kyç për të ofruar mbështetje të rinjve. Ne duam të kalojmë nga fjalët tek veprat që fëmijët të kenë qasje në shëndetësi falas, qasje në arsim cilësor, të kenë strehim me dinjiteti, por edhe për të patur ushqime.
Duhet dhënë kontribut për integrimin e tyre në punë, që tranzicionin nga shkolla në punë ta kalojnë mirë. Procesi i anëtarësimit nuk do të thotë vetëm miratim legjislacioni, por kërkon shndërrim të shoqërisë  në të gjitha aspektet e saj. Sipas negociatave për anëtarësim, të drejtat e fëmijëve janë pjesë e grup kapitullit themelor, ndërsa legjislacioni për arsimi dhe politikën sociale mbulohet nga grup kapitullit tre që shpresojmë të hapet së shpejti. Vendet kandidate pritet që të krijojnë kuadrin e duhur për të krijuar mjedisin që lejon ecjen përpara të rinisë, duke ofruar studentëve aftësitë që i duhen edhe nga tregu i punës. Të krijohen më shumë mundësi dhe më shumë mundësi të barabarta për punësim me dinjitet. BE është këtu për të shoqëruar vendet kandidate në rrugëtimin e tyre të reformave përfshirë politikën sociale.