Është dita e parë e shkollës, një ditë që mbetet në kujtesën e çdo fëmije si një fillim i veçantë. Oborret gumëzhijnë nga zërat e nxënësve, mes buzëqeshjeve e përqafimeve.
Nxënësit mbajnë në duar lule shumëngjyrëshe në shenjë mirënjohjeje për mësuesit e tyre.
Në mes të fëmijëve të klasës së parë, e shoqëruar nga familjarët e saj, është edhe Everli. Me sytë që i shkëlqejnë nga kureshtja, ajo nis rrugëtimin drejt botës së dijes. Për të, kjo ditë është një festë e bukur dhe emocionuese.
“Unë ndihem shumë e lumtur që kam filluar klasën e parë. Kam ardhur me hallën, babin, mamin dhe motrën. Mësuesja ishte shumë e mirë, unë i solla një tufë me lule.”, tha Everli Bixheku.
Përtej gëzimit dhe festës, nuk mungojnë as lotët e disa vogëlushve të klasës së parë, për të cilët ky fillim është i vështirë.
Edhe ata që prej vitesh ndjekin mësimin, shprehen se rikthimi në shkollë është çdo vit i veçantë.
“Emocionet janë normalisht më ndryshe se klasat e tjera. Është viti i fundit, janë përgatitjet për testet e fundvitit dhe do të ndahemi nga shokët që kemi gjithë këto vite bashkë. Normalisht janë emocione më ndryshe.”
Mes kësaj atmosfere mirëpritëse në shkolla, nuk munguan as urimet e ngrohta të mësuesve për një vit shkollor të plot arritje.
“Fëmijëve të shkollës tonë dhe atyre të gjithë Shqipërisë, ju urojmë përparim, suksese, energji pozitive dhe dëshirën për të mësuar. Në shkollën tonë, interesi për t’u regjistruar ka qenë shumë i madh, çdo gjë ka shkuar shumë mirë.”, shprehet Luiza Topi, Drejtoreshë e shkollës “Servete Maçi”.
Janë 345 mijë nxënës, prej të cilëve 26.500 ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Këtë vit, ministria ka njoftuar ashpërsim të masave të përdorimit të celularit në shkolla dhe një kod të ri etik për mësuesit. Në shkolla është vënë re shtimi i forcave të policisë që janë kujdesur për mbarëvajtjen e procesit.
/vizionplus.tv
