“Bandat, të lidhura me shtetin”, Berisha: Kartelët e Shkodrës u përdorën për qëllime elektorale

Pak orë pas ngjarjes tragjike në Shkodër, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se kryeqendra e veriut është në duart e krimit. Gjatë një komunikimi me gazetarët Berisha theksoi se bandat që përplasen në Shkodër janë të lidhura me shtetin.
“Kartelët janë përdorur për qëllime elektorale dhe tani ata janë sundimtarë të vërtetë të Shkodrës. Breshëri në kafene, plagoset rëndë kamerierja, i uroj të shpëtojë… Janë tërësisht banda të lidhura me shtetin, të cilat qytetin e kanë si trofe të tyre”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Berisha u fokusua sërish tek dosja e Departamentit Amerikan të Drejtësisë për ish-zyrtarin e lartë të FBI Charles McGonigal dhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama. Sipas kreut të PD, opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesa për hetimin e veprimtarisë së McGonigal në Shqipëri.
“McGonigal e shndërroi Tiranën në një lagje të aktiviteteve të tij kriminale ku nga kryeministri e poshtë ishin në shërbim të tij. Por këtu hetimi duhet të përfshijë edhe Altin Troplinin, që ka dy vjet që e mban dosjen në sirtar”, thai ai.
Në janarin e vitit 2023, kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi iu drejtua zyrtarisht SPAK me kërkesën për të hetuar çështjen McGonigal dhe këtë të hënë Bardhi dorëzoi në SPAK si dokumente shtesë raportin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për ish-zyrtarin e lartë të FBI.