Rikthimi i amerikanëve në SPAK, avokati Kara: Çështjes së Berishës do t’i shkohet deri në fund shumë shpejt

“Berisha është braktisur edhe nga Europa, edhe nga SHBA edhe nga Britania e Madhe”, kështu u shpreh avokati Romeo Kara gjatë një interviste të zhvilluar në “Ora e Fundit”.
Po ashtu ai u shpreh se rikthimi i amerikanëve rikonfirmoi mbështetjen ndaj SPAK.
“Besoj që justifikimet që bën janë mjerane. Departamenti i Shtetit, përveçse në muajin janar tani ka edhe një raport tjetër në mars ku e thekson me të madhe rrezikun e tij. Dihet zullumi që i ka bërë Shqipërisë dhe ka çuar në pikën që shqiptarët të jetojnë jashtë dhe jo në Shqipëri. Ne Berishën duhet ta shohim për atë që ka qenë dhe është dhe jo për atë që kërkon ai ta paraqesë veten”, tha ai.
“Do të kemi dy apo tre takime në Uashington dhe besoj do ofrojmë një pamje realiste. Kam bindjen që qëndrimi amerikan ndaj Shqipërisë nuk do të ndryshojë. Dhe besoj se çështjes së Berishës do t’i shkohet deri në fund dhe shumë shpejt, nuk do ngelet pa marrë atë që meriton”., shtoi juristi.
Pas gati dy muajsh mungesë, për shkak të një urdhri ekzekutiv të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mars ekspertët amerikanët e OPDAT janë kthyer në SPAK dhe Gjykatën e Posaçme. Pas rikthimit ata kanë zhvilluar takime me gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm.
Ekspertët amerikanë, që mbështesnin me prani punën e SPAK dhe GJKKO u larguan në fund të janarit pas Urdhrit Ekzekutiv të presidentit të SHBA, Donald Trump për të ndaluar implementimin e asistencës ndërkombëtare, urdhër që ndërpreu edhe çdo aktivitet të USAID në Shqipëri.
Pas këtij urdhri, në një reagim zyrtar, SPAK tha se mbështetja e misioneve të partnerëve ndërkombëtare, përfshi ato të Shteteve të Bashkuara, konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve.