Komedia “Vendi më i humbur në Shqipëri” nga teatri “Aleksandër Moisiu” u shpall fituese e këtij edicioni të Koko Fest”, që u zhvillua në qytetin e Korçës. Festivali shënoi këtë vit edicionin e 12-të, ku në skenë ishin produksione teatrore nga Shqipëria, Kosova dhe Italia. Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo u shpreh në rrjete sociale se ky edicion u përmbyll në Korçë me një atmosferë të jashtëzakonshme arti dhe emocionesh. Nata përmbyllëse sipas tij u pasurua nga një ekspozitë karikaturash të artistit Ardi Karanxha, ndërsa mbrëmja artistike u mbyll në skenë me shfaqjen “Komedia e Zezë” nga Teatri “Bekim Fehmiu” i Prizrenit, duke vulosur fundin e këtij edicioni të paharrueshëm.
Shfaqja “Vendi më i humbur në Shqipëri” nga teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit u shpall fituese e këtij edicioni, duke rrëmbyer plot pesë çmime: shfaqja më e mirë, regjia më e mirë për Andia Xhungën, aktori protagonist më i mirë për Gentian Zenelajn, aktori i ri më i mirë për Aleks Seitaj, si dhe çmimin e publikut. Të tjera çmime në këtë edicion të “KoKo Fest” janë: Çmimi i karrierës – Gëzim Kame; Aktorja më e mirë protagoniste – Zamira Kita, Olta Daku, Egla Ceno; Aktori më i mirë joprotagonist – Ylber Bardhi, Aktorja më e mirë joprotagoniste – Liridona Bytyqi; Artisti i ri më i mirë – Endri Çela; Kostumografia më e mirë- Sofia Kara; Skenografia më e mirë – Beqo Nanaj; Çmimi FresKoKo – shfaqja “Zullulandia”. Festivali nisi më datë 31 gusht dhe vijojë deri më 6 shtator në teatrin “Andon Zako Çajupi” në qytetin e Korçës.
Komedia “Vendi më i humbur në Shqipëri” shfaqja më e mirë në “KoKo Fest 2025”
