Kroacia ka asgjësuar 4 tonë domate shqiptare, pasi ato rezultuan të spërkatura me sasi helmi që vret insektet pesë herë më shumë se norma e lejuar.
Ndërsa më 22 gusht, shteti kroat asgjësoi edhe 5 tonë pjeshkë nga Divjaka, për shkak të prezencës së lartë të metalit të rëndë nikel në frutat e zhdëmtuara.
Në njoftimin zyrtar të EFSA (Autoriteti Europian për Sigurinë Ushqimore) është publikuar rezultati i analizave laboratorike, ku niveli i lejuar i klorfenapirit është 0.01 mg/kg, ndërsa në domatet e analizuar është gjetur niveli 0.06 mg/kg.
Domatet e rrezikshme janë prodhuar në tokat bujqësore të Beratit, ndërsa pjeshkët vinin nga zona e Divjakës. Megjithatë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit shprehet se asnjë prej sasive të domateve me përmbajtje të lartë të helmit nuk është hedhur në tregun vendas.
Të prekurit direkt janë konsumatorët, të cilët shprehen të frikësuar dhe të pasigurt për produktet që konsumojnë çdo ditë.
“Në treg i blejmë, por nuk i hamë fare, janë pa shije. Ata që i prodhojnë duhet të përdorin më pak pesticide, të mos i hedhin shumë”.
“Sa vite i hamë dhe shumë njerëz janë sëmurë, janë hapur shumë diagnoza. Këto janë shumë të dëmshme për organizmin, sidomos për fëmijët, por nuk merret asnjë masë”.
“Nuk i dalloj dot nëse janë me pesticide, vetëm i shoh nëse janë të freskëta,” thonë disa qytetarë. Nga ana tjetër, tregtarët theksojnë se në treg nuk mungojnë prodhime cilësore dhe domate të rritura pa pesticide.
“Është domate Zall-Bastari, origjinale, jo si ato të lyerat apo ato që thonë se janë me pesticide. Kur ka pesticide, domates i ndjehet në bisht, ndërsa kjo ka gjithë tulin. Ndërsa kjo lloj pjeshke kushton 200 lekë kilogrami, dhe për këtë nuk besoj që ka shumë pjeshkë me pesticide për eksport,” thotë një tregtar.
“Janë pa shije”/ Apeli i qytetarëve të shqetësuar, për produktet bujqësore: Nuk merret asnjë masë, hanë edhe fëmijët
